
TIRANË- Edmond Ndou është paraqitur sot në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Pasi përfundoi marrjen në pyetje nga hetuesit e SPAK, Ndou u shpreh ishte paraqitur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme si një person në dijeni për një çështje që po hetohej. Por sqaroi se nuk ka asnjë lidhje me të dhe as me detyrën aktuale që ai mban si kryetar i këshilllit Bashkiak të Qarkut Shkodër.
“Duke marrë shkas nga publikimet e bëra në media mbi paraqitjen time gjatë ditës së sotme në mjediset e SPAK, më lejoni shkurtimisht të sqaroj opinionin publik se: Jam paraqitur në SPAK si person në dijeni mbi një çështje që është nën hetim, por që nuk ka asnjë lidhje të drejtpërdrejtë me personin tim dhe as me detyrën që mbaj si kryetar i këshillit të qarkut Shkodër. E ndjeva si detyrim që të bëj këtë sqarim të shkurtër, për të shmangur çdo keqinterpretim që mund të lind në rrethana të tilla,”- thuhet në reagim.
Ndou është kryetar i këshillit të qarkut të Shkodrës, i zgjedhur në fillim të shkurtit të këtij viti, pasi zëvendësoi Marina Duhanin. Kreu i Këshillit Bashkiak ka qenë më herët drejtues i Hipotekës në Shkodër, këshilltar i kryetarit të Bashkisë Shkodër, si edhe kandidat për deputet në zgjedhjet e 2017 dhe 2021./ZËRI