
TIRANË- Ish-kryebashkiaku i Kukësit Safet Gjici do t’i nënshtrohet edhe një tjetër ekspertize ligjore që do të vulosë qëndrimin e tij në qeli. Ekspertët mjekoligjore bënë betimin para gjykatës dhe morën detyrat për vlerësimin e gjendjes shëndetësore të Gjicit. Ata do të vlerësojnë nëse Gjici mund të vijojë të marrë trajtimin e nevojshëm në qeli apo nëse qëndrimi në burg i rrezikon jetën, duke qenë se ish-kryebashkiaku vuan nga probleme të sistemit kardiovaskular, zmadhim të aortës dhe diabet të formës së rënduar. Vlerësimi i tyre përfundimtar do të jepet më 23 dhjetor. Gjici po vuan dënimin për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre. Ai u dënua me 3 vite burg, por do të duhet të qëndrojë edhe 1 vit e dy muaj pas hekurave për të shlyer të gjithë dënimin. Aktualisht po qëndron në një spital privat deri në daljen përfundimtare të ekspertizës.