
VALENCIA - Policia Kombëtare e Spanjës ka çmontuar një plantacion me 940 bimë marihuanë, të vendosur në bodrumin e një shtëpie në Gandia (Valencia) dhe ka arrestuar dy meshkuj, të moshës 20 dhe 29 vjeç, si të dyshuar për krime kundër shëndetit publik dhe mashtrimit të furnizimit me energji elektrike. Siç njoftohet nga Shtabi i Lartë i Policisë së Komunitetit të Valencias në një deklaratë, të arrestuarit ndodhen në Spanjë jashtë rregullave dhe nuk kanë precedent penal.
Hetimet e kryera nga Njësia Kundër Drogës dhe Krimit të Organizuar -UDYCO- e Brigadës së Policisë Gjyqësore Vendore Gandia, filluan kur agjentët mësuan se një shtëpi në Cullera (Valencia) mund të përdorej si laborator droge. Aty u pa se bëhej kultivimi i përshpejtuar i bimëve të marihuanës.
Pas vendosjes së një aparati vëzhgimi në afërsi të pronës, agjentët konstatuan se prej shtëpisë dilte një erë e fortë karakteristike e kësaj lënde. Ata vëzhguan gjithashtu se si shtëpia kishte një pamje të lënë pas dore, duke mos treguar shenja të dukshme të banimit, megjithëse, përmes blindave, mund të shihej një dritë e verdhë, që dilte prej saj.
Si rezultat i hetimeve, agjentët zbuluan se prona kishte një lidhje mashtruese me rrjetin elektrik dhe se humbje të mëdha të energjisë elektrike ishin regjistruar në transformatorin që furnizonte zonën. Me prova të mjaftueshme dhe me leje gjyqësore, agjentët e UDYCO të Gandias, në bashkëpunim me Policinë Vendore të Culleras, kryen kontrollin e shtëpisë, ku ndodhej në bodrum një plantacion marihuane e kamufluar, aksesi i së cilës bëhej vetëm nga një vrimë e vendosur në banjo.
Agjentët kanë ndërhyrë duke shkatërruar gjithsej 940 bimë marihuanë, me një peshë totale prej gati 190 kilogramë. U sekuestruan 42 llamba LED, shtatë kompresorë klimatizimi, gjashtë ndarje, kanale ventilimi dhe nxjerrjeje, filtra ajri dhe matës të temperaturës dhe lagështisë./ZËRI/