
PRISHTINË - Ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë, Jeffrey Hovenier gjatë një fjalimi të mbajtur në edicionin e dytë të Samitit të Paqes dhe të Demokracisë, që po mbahet në Prishtinë, tha se vendi i tij ka besim të plotë tek BE si ndërmjetësuese e dialogut dypalësh.
“SHBA-ja ka besim të plotë në BE-në në ndërmjetësimin e saj të dialogut, SHBA-ja ka besim të plotë në përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell dhe përfaqësuesin e posaçëm [për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, si zbatues objektivë të kësaj politike”, tha Hovenier.
Ndryshe nga Hovenier, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dy ditë më parë akuzoi Lajçakun se është i anshëm në dialog, është më tepër me Serbinë dhe se mban gjëra të fshehura në dialog.
Në një deklaratë për mediat, kreu i qeverisë së Kosovës Albin Kurti akuzoi direkt Miroslav Lajçakun si pengues të dialogut Prishtinë-Beograd dhe jo si avancues. Kurti tha se Lajçak është një person që punon për Serbinë. Madje, ka deklaruar se ka mundësi që as Josep Borrell, shefi i tij, nuk është në dijeni të këtij raporti të ndyrë mes Lajçakut dhe palës serbe.
Kurti deklaroi se tashmë ka dërguar letra edhe te shtetet anëtare të BE-së, si Franca, Gjermania e Italia, për të dhënë vërejtjet e tij për Lajçakun. Bashkimi Europian reagoi pas deklaratave të Kurtit, duke thënë se akuzat janë të pabaza. Zëdhënësi i BE tha se Lajçak është për të avancuar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë e se nuk është i njëanshëm. /Zëri.ai/