Aktualitet

Kush është Klea, "fantazma" që u shtir si mbesa e Ramës, gracka që i ngriti qindra gjimnazistëve

Klea Rama, kështu të paktën pretendonte se e kishte emrin, prezantohej si mbesa e kryeministrit Edi Rama. Personazhin që kishte krijuar në kokën e saj e kishte të mirëmenduar dhe e dinte çfarë të thoshte për të mos u kapur kurrë.

k.m.
Kush është Klea, "fantazma" që u shtir si mbesa e
Klea Rama

TIRANË- Klea Rama, një “hije” që askush nuk e di kush është dhe nga vjen, ngriti në “këmbë” një skemë mashtrimi që alarmoi edhe Ambasadën Amerikane në Shqipëri. Projekti ka nisur që vjet me konkursin për projektin më të mirë në lidhje me inovacionin, e më pas kur rinisi për herë të dytë mori formën e konkursit për bursa dhe u njoftua se do të bëheshin edhe provime. Fituesit do të kishin shpërblim udhëtim në Amerikë dhe një bursë studimi në një nga universitetet amerikane.

Pjesëmarrësit në projekt do të duhet të dorëzonin projektet e tyre në fushën e inovacionit, e nëse do të shpalleshin fitues do të fitonin nga një udhëtim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, deri në bursë studimi. Për zbatimin e kësaj skeme malinje në të gjitha gjimnazet e vendit, deri më tani organet shqiptare të hetimit akuzojnë drejtoreshën e DAR-it, Valentina Lamaj, e cila po hetohet për rolin e saj në këtë skemë. Ndërkohë që kalvarin e gjatë të përballjes me drejtësinë e ndjek drejtoresha e shkollës “Qemal Stafa”, Klotilda Jaupi, një tjetër emër, një personazh atipik është zbuluar nga ZËRI si truri i skemës.

Klea Rama, kështu të paktën pretendonte se e kishte emrin, prezantohej si mbesa e kryeministrit Edi Rama. Personazhin që kishte krijuar në kokën e saj e kishte të mirëmenduar dhe e dinte çfarë të thoshte për të mos u kapur kurrë. Pretendonte se ishte e “angazhuar” në zyrën e Jashtme të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe njëkohësisht studionte për mjekësi po në Shtetet e Bashkaura të Amerikës. Jo vetëm kaq! Në një llogari të krijuar në Instagram, Klea Rama postonte vazhdimisht me “xhaxhanë” e saj, kryeministrin Edi Rama.

Por u zbulua shpejt që familjen Rama nuk ka asnjë person me emrin Klea, me të njëjtin inicial po. ZËRI mund ta konfirmojë se po, Rama ka një mbesë që jeton në SHBA, por nuk është Klea. Se kush është Klea mbetet mister pasi nxënësit pohojnë kurrë nuk e kanë takuar dhe as parë me pretendimin se jetonte në SHBA.

Si komunikonte? Me mesazhe dhe letra! Nxënësit që kanë denoncuar kanë sjellë pranë ZËRI një video të një drejtoreshe shkolle në Bilisht, të cilës i dridhet ZËRI teksa lexon letrën që ka ardhur nga shumë larg. 

Por si ka hyrë kaq lirisht në shkolla një person që askush nuk e di kush dhe çfarë është?

Vërtetë praktikat e bashkëpunimit të shkollave, qoftë gjimnaze dhe universitete me ambasadat e huaja në Shqipëri nuk janë të panjohura. Por e kanë një kontrollor. Në këtë rast Ministria ka qenë han pa porta…Madje dhe Nina Guga, zv.ministre e Arsimit dhe Sportit i dërgonte një përshëndetje të përzemërt Kleas që sapo kishte ndërmarrë këtë projekt të ri.

“Përshëndetje të dashur nxënës, të dashur mësues dhe koordinatorë të projektit, e dashur Klea përzemërsisht të uroj gëzuar festat. Qoftë një vit i mbushur me suksese dhe realizime!,”-thotë zonja Guga duke na provuar se Ministria e Arsimit ka qenë në dijeni të këtij projekti.

Hetimet vazhdojnë dhe deri më tani nuk kemi asnjë provë se përse ka ndodhur mashtrimi, cili ka qenë përfitimi i Kleas dhe i mikeshave të saj, por si e kanë marrë “ok” nga Ministria e Arsimit, kjo është çështja?

Vërtetë kanë besuar është e afërmja e kryeministrit dhe i kanë dhënë liri për të vepruar në të gjithë gjimnazet e vendit? A kanë pasur komunikim me Ambasadën Amerikane për të qenë të sigurtë që ky projekt kishte mbështetjen e tyre? A u verifikua ndonjëherë dokumentacioni i organizatës, apo më keq akoma, nuk ka patur as organizatë? ZËRI ia dërgoi këto pyetje MASR, por edhe pse ka kaluar një javë që nga denoncimi i projektit, ka vetëm heshtje.

Në këtë rast, fundi i kësaj historie fatmirësisht ka përfunduar pa dëme, por dyshimi në kokën e çdo nxënësi se përse iu vodhën të dhënat personale është një gjurmë që nuk ikën lehtë./ZËRI

Poll

MOS HUMB