Aktualitet

Kush është Valter Begaj, ortaku dhe biznesmeni që pastronte paratë e Evis Berberit të ARRSH-së

Begaj rezulton aksioner në dy kompani, në njërën që i kishte shitur dhe blerë Berberit, dhe në një tjetër që përdorej për të marrë tendera nga MIE dhe ARRSH

E.K
Kush është Valter Begaj, ortaku dhe biznesmeni që pastronte
Evis Berberi dhe Valter Begaj

TIRANË- Valter Begaj, biznesmen dhe ortak i Evis Berberit, është personi kyç që ka shërbyer për të pastruar paratë e përfituar përmes tenderave të paligjshëm nga kreu i ARRSH-së.

Njohjet mes Berberit dhe Begajt janë shumë të hershme, përpara se drejtori i ARRSH-së të merrte detyra në ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjitikës. Me marrjen e kësaj detyre, ai shiti aksionet e kompanisë DAAM te shtetasi Valter Begaj, për vlerën e 1.7 milionë eurove, ndërsa i kishte blerë për vetëm 800 euro.

Përveç aksioneve të DAAM, Begaj ishte zotërues dhe i kompanisë NET-GROUP (ish "B-VAAL ENGINEERING"), e cila rezulton që të jetë dhe kompania që ka fituar tenderat në mënyrë jo të ligjshme nga ana e Berberit.

Më pas këto të ardhura dërgoheshin te kompania tjetër e Begajt, kompania DAAM, e cila sipas SPAK vijonte që të kontrollohej po nga Berberi, pavarësisht shitjes fiktive që ai i kishte bërë aksioneve.

Çfarë thuhet në dosjen e SPAK

Nga hetimi ka rezultuar se gjatë kohës kur shtetasi E.B., ka qenë nën cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, Agjencia për Efiçencën e Energjisë, janë zhvilluar tre procedura prokurimi në vlerën totale 137,400,000 (njëqind e tridhjetë e shtatë milion e katërqind mijë) lekë pa Tvsh, me operator fitues shoqërinë e shtetasit V.B., “N…Group” sh.p.k.

Kurse gjatë kohës kur shtetasi E.B., ka qenë nën cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, Autoriteti Rrugor Shqiptar, janë zhvilluar tre procedura prokurimi në vlerën totale 101,811, 343 (njëqind e një milion e tetëqind e njëmbëdhjetë mijë e treqind e dyzet e tre) lekë, pa Tvsh, me fitues bashkimin e operatorëve me pjesëmarrëse shoqërinë e shtetasit V.B., “N…Group” sh.p.k.

Po ashtu, nga hetimi ka rezultuar se shoqëria “D….”sh.p.k., në zotërim indirekt të shtetasit E.B., ka përfituar të ardhura nëpërmjet transaksioneve nga shoqëria e shtetasit V.B. “N….Group”sh.p.k., në vlerën 223,480,476 (dyqind e njëzet e tre milion e katërqind e tetëdhjetë mijë e katërqind e shtatëdhjetë e gjashtë) lekë, me TVSH.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB