
TIRANË- Genc Byrazeri, një prej 5 anëtarëve që bënë studimin e fizibilitetit për koncensionin e sterilizimit, rezulton të jetë kushëriri i parë i ish-ministrit të shëndetësisë Ilir Beqaj. Teksa u pyet nëse ishte në konflikt interesi, sa kohë që ministër ishte kushëriri i tij i parë, Byrazeri tha se kishte pyetur ekspertët dhe stafin e ministrit, të cilët i kishin thënë se ligji e lejonte të bënte studimin. Byrazeri vijoi më tej duke thënë se ai ka qenë pjesë e sistemit shëndetësor, përpara se Beqaj të zgjidhej ministër, dhe se këtë të fundit nuk e njihte askush deri në vitin 2013.
Albana Vokshi: Jeni kushëriri i parë i zotit Beqaj, a keni qenë ju në konflikt interesi gjatë studimit të fizibilitetit për sterilizimin?
Genc Byrazeri: E prisja këtë pyetje, në mos do ta përmendja vetë, kam kërkuar interpretim, ministri ma ka bërë të qartë se nuk kisha asnjë konflikt interesi. Bazuar në ligj, nuk e gjej veten askund as në konflikt faktik dhe as në konflikt interesi. Studimi im nuk ka pasur kurrfarë roli vendimmarrës, edhe po të isha anëtar i komisionit të vlerësimit të ofertave, nuk do të ishte konflikt interesi. Ilir Beqajn se ka njohur njeri para vitit 2013, unë kam qenë më shpejt pjesë e sistemit të shëndetësisë. Jam emëruar gjatë kohës kur ka qenë Petrit Vasili ministër.
Byrazeri mbrojti studimin e tij të fizibilitetit, duke konstatuar problematikën e ndotjes dhe infeksioneve në qendrat spitalore ku ishte caktuar që të kryente kërkime shkencore.
“Një pjesë janë marrë parasysh nga konstatimet e bëra dhe një pjesë jo. Ky është vetëm një studim fizibiliteti dhe vendimet i marrin të tjerët. Një pjesë u morën parasysh dhe shumë mirë u bë, por detyra ime kjo ishte. Ndaj edhe kam firmosur, sepse profesioni im është mjek epedimiolog, të kontrolloj gjendjen, gjithmonë për pjesën time. Unë kam firmosur për pjesën time”, tha Byrazeri./ZËRI