Aktualitet

Atentat ndaj tij? Avokati Doga: Shteti të më mbrojë

Doga nuk ka kërkuar mbështetje si një njeri i ligjit, por si një biznesmen që ka kontribuar jo vetëm në të punësuar, por edhe në vota, sa herë që politikanëve iu duhej mbështetje.

E.K
Atentat ndaj tij? Avokati Doga: Shteti të më mbrojë
Adriatik Doga

TIRANË- Avokati Adriatik Doga është një prej emrave më të lakuar nga mediat në 24-orëshin e fundit, për shkak se ishte pjesë e deklaratave të Artan (Marjus) Tafanit, i cili tha se grupi i Laert Haxhiut kishte planifikuar që të eleminonte 3 njerëz të drejtësisë, mes tyre edhe Dogën. Në komunikimet që ka pasur me mediat, ndikuar edhe prej faktit se njihej me personat e cituar se do t’i kryenin atentat, Doga herë është shfaqur i trembur dhe herë të tjera ka deklaruar se vetë ai nuk do të kërkojë mbrojtje. Madje në një prej intervistave të dhëna, Doga nuk ka kërkuar mbështetje si një njeri i ligjit, por si një biznesmen që ka kontribuar jo vetëm në të punësuar, por edhe në vota, sa herë që politikanëve iu duhej mbështetje. Pra Doga thotë se nuk do mbrojtje, ama shteti duhet ta ketë në konsideratë atë si taksapagues dhe biznesmen. 

Gazetarja- Në këto kushte, ju do kërkoni mbrojtje nga shteti?

Avokati - Unë si person nuk kam për të kërkuar asgjë për veten time, se ti më njeh mirë se çfarë tipi jam se kemi qenë shok klase. Por se çfarë do të bëj shteti për mua si taksapagues, si biznesmen që kam rreth 30 të punësuar, si njeri që kur kanë fushata vijnë tek bizneset me një numër të konsiderueshëm punëtorësh siç jam edhe unë, këtë unë nuk e di.

Adriatik Doga duke folur me gazetarët ka thënë se nuk ka njohje personale me Laert Haxhiun, por babanë e tij e njeh, e madje në shumë raste kanë frekuentuar të njëjtat ambiente. Nga ana tjetër vetë të penduarin e drejtësisë, Artan (Marjus) Tafanin, Doga e ka të afërm e madje në një rast familja i ka kërkuar që të jetë dhe avokati i tij mbrojtës.

Nëse për prokuroren e SPAK Doloreza Musabelliu, dhe ish-prokuroren e Lushnjes Merita Selimi, masat e mbrojtjes u shtuan dhe u vendosën me urdhër të KLP, Shoqata Kombëtare e Avokatisë thotë se po punohet për rastin e Dogës me organet ligjzbatuese. Në kushtet kur vetë Doga nuk kërkon mbrojtje dhe avokatët nuk mbrohen me ligj të posaçëm, policia e ka të vështirë të iniciojë një monitorim të posaçëm për avokatin, në ndryshim nga masat e menjëhershme që u morën ndaj prokuroreve!

Çfarë deklaroi Tafani për Dogën?

Sipas të penduarit të drejtësisë Artan (Marjus) Tafani, Laert Haxhia kishte dhënë urdhër që të vritej avokati Adriatik Guri (Doga). Në rrëfimin e bërë para prokurorëve, Tafani ka treguar se Doga i ka shpëtuar vdekjes në fraksion sekonde, në muajin Tetor 2021 në Lushnjë.

Për vrasjen e avokatit sipas bashkëpuntorit të prokurorisë ishte impenjuar personalisht Laert Haxhiu. Tafani, Haxhiu dhe Lulzim Arapi kanë shkuar dhe janë pozicionuar para banesës së Dogës. Por, në momentin që grupi kriminal do të vinte në punë armët, Doga, rastësisht ka takuar një fqinjin e tij. Kjo ka bërë që tre personat ,Artan Tafani, Laert Haxhiu dhe Lulzim Arapi, të mos veprojnë.

/Zëri.ai

Poll

MOS HUMB