
TIRANË- Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur në shtëpinë e Big Brother, ku policia ka arrestuar banorin e sapofutur në lojë Liam Osmani. Sipas burimeve nga policia, Liami ka qenë në kërkim për mashtrim me vizat turistike. Mësohet se Gjykata e Tiranës ka dhënë një dënim me 2 vite e 6 muaj burg në mungesë për Liamin, dënim i cili nuk ishte ekzekutuar deri tani.
Përmes një zarfi të kuq, banorëve të Big Brother iu është komunikuar lajmi për ndalimin e Liamit nga policia. Ka qenë Sara Gjordeni ajo që ka njoftuar ndërprerjen e rrugëtimit të Liamit brenda shtëpisë, ndërkohë që një pjesë e banorëve kanë mbetur të shokuar.
NJOFTIMI I POLICISË:
Strukturat e Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin bënë ndalimin e shtetasit Liam Osmani, 44 vjeç, teksa ai ndodhej në shtëpinë e Big Brother Albania Vip 3.
Prokuroria e Tiranës, më datë 09.05.2022, ka dërguar urdhërin për ekzekutimin e vendimit penal të datës 23.02.2022, për dënimin e këtij shtetasi me 2 vjet e 6 muaj burgim për veprën penale "Mashtrimi".
Ky shtetas, në vitin 2019, nëpërmjet mashtrimit, ka përvetësuar 17 bileta turistike për në Gjermani, për të cilat nuk ka kryer pagesat përkatëse.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
/ZËRI