
DURRËS- Ka marrë fund makthi 1-javor, për 3-vjeçarin Amar, i cili u rrëmbye nga gjyshja e tij, të shtunën e kaluar. Bahrije Gjuni, e ka dorëzuar nipin e saj në ambientet e komisariatit të policisë së Durrësit, në prani të një avokati mbrojtjës. Ndaj saj është lëshuar një masë e arrestit me burg në mungesë nga prokuroria e Durrësit, ndërsa policia po bën ndalimin e saj, për t’u përballur me drejtësinë. Burrë e grua, akuzohen se kanë marrë në mënyrë të padrejtë nga nëna, nipin e tyre 3-vjeçar, të cilin e konsideronin si një amanet nga djali i tyre, që humbi jetën 1 vit më parë në një aksident rrugor. Nëna me lot në sy ka deklaruar se tashmë 3-vjeçari është në duar të sigurta.
“Djali është shumë mirë, në duar të sigurta. Nuk e di se ku e kanë mbajtur. E kam përjetuar shumë keq. Faleminderit të gjithëve, policisë së Durrësit dhe mediave”, tha ajo.
Përveç dy gjyshërve, policia arrestoi dhe vëllanë e Bahrijes, ndërsa shpalli në kërkim vëllanë tjetër të saj. Gjatë ditës së djeshme, Gjykata e Durrësit caktoi masën arrest me burg për Rexhep Gjunin dhe kunatin e tij, Arben Selaj, të cilët akuzohesin për rrëmbimin e 3-vjeçarit në Durrës.
Rexhep Gjuni dhe Arben Selaj, vëllai i bashkëshortes së tij, u arrestuan menjëherë pas denoncimit të nënës së 3-vjeçarit. Kjo e fundit dëshmoi se pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit të saj, ajo ishte kthyer që të jetonte me prindërit e saj, megjithëse djalin nuk e kishte privuar nga takimet me gjyshërit. Megjithatë këta të fundit, kanë kërkuar që djali të jetonte me ta, nga frika se nusja e tyre mund të niste një jetë të re.
NJOFTIMI I POLICISË SË DURRËSIT:
Komisariati i Policisë Durrës ka vijuar punën kërkimore dhe hetimore, për gjetjen e 3-vjeçarit dhe për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, për të cilën deri tani janë arrestuar shtetasit R. Gj. (gjyshi) dhe A. S. (vëllai i gjyshes), të dyshuar si bashkëpuntorë për rrëmbimin e 3-vjeçarit.
Në këtë kuadër janë kryer një tërësi veprimesh hetimore dhe kontrolle të shumta në Durrës, Has, Kukës dhe Tiranë.
Si rezultat i presionit policor, kërkimeve të shumta dhe negociatave, sot është vetëdorëzuar shtetasja B. Gj., së bashku me nipin e saj 3-vjeçar, të cilin e mori nëna e tij, në gjendje të mirë shëndetësore.
Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, vijon puna hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Rexhep Gjuni ka rrëfyer se nusja i kërcënoi se nuk do ta shikonim më nipin pasi do largoheshin së bashku më të jashtë shtetit dhe për këtë arsye vepruam në këtë mënyrë.
Dëshmia e gjyshit të 3-vjeçarit:
Me humbjen e djalit tonë në aksident, nipi zinte vendin e të dyve: edhe të tijën si nip po nëpërmjet pranisë së tij shohim edhe djalin tonë që s’jeton më. Me nusen nisen debatet që ditët e para që na vdiq djali. Donte të ikte në shtëpinë e prindërve të saj, pa mbush as 40 ditë që bashkëshorti i kishte vdekur. Edhe me pas kemi pasur kontradikta për të marrë djalin (nipin) pasi nuk donte qe ne ta takonim.
Pastaj na e lejonte ta takonim shume rrallë. Kur kërkonim qe ta merrnim në shtëpi që ta mbanim pak orë të çmalleshim, na thoshte merreni edhe këtë radhë se s’keni për ta parë më pasi do ta marre e do iki jashtë shtetit të vazhdojmë jetën tonë. Ajo mund të vazhdoj jetën e saj se nuk ka të drejtë ta ndaloj askush po nuk ka të drejtë të na mohojë faktin për të takuar nipin. Nga frika se nuk do ta shikonim me nipin, u organizuam ta merrnim dhe ta mbanim vete. Kemi marrë parasysh gjithçka. Nuk tregoj ku ndodhet djali. Me bëni çfarë të doni.
/ZËRI