Aktualitet

“Nuk ishte i kafeneve e lokaleve”, homazhet për Mirush Kabashin, e bija: Pengu i vetëm që kishte

Në hollin e Muzeut Historik Kombëtar u vendosën buqeta me lule në nderim të aktorit të madh, të njohur si “Sokrati” shqiptar

f.t
“Nuk ishte i kafeneve e lokaleve”, homazhet për Mirush
pamje nga homazhet

TIRANË- Janë mbajtur homazhe në Muzeun Kombëtar, në nderim të aktorit të madh të skenës shqiptare, Mirush Kabashi, i cili u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare. Në homazhe ishin të pranishëm një sërë personalitetesh të skenës dhe artit shqiptar, por edhe politikanë, miq dhe familjarë të të ndjerit.

Pjesë e homazheve ishin kolegët me të cilët Kabashi ndau skenën dhe sheshin e xhirimit për vite me radhë, ndërkohë që një rrëfim të veçantë ka dhënë e bija e tij. Mendi Kabashi u shpreh se babai i saj u largua nga kjo jetë pa pengje, e ndoshta beteja e vetme që ai humbi ishte ajo me sëmundjen e rëndë, e cila prej 5 vitesh e kishte rënduar, derisa i mori edhe jetën.

“Publikun e donte me gjithë zemër. I vlerësonte shumë njerëzit dhe iu dha 100% artit. Madje kishim dhe debate për këtë. Sidomos pas sëmundjes për 5 vite që e luftoi shumë fort, vijonte të dilte në skenë. Mirushi nuk ka dashur kurrë të bëhet bajat. Përzgjidhte skenat ku do të intepretonte me parimet e vlerat e tij. Një njeri që do na mungojë të gjithëve, na ka lënë pasuri të madhe”, tha e bija e tij.

Ajo e vlerësoi atë si babain dhe familjarin e dashur, i cili nuk vendoste asgjë përpara dashurisë së tyre, e madje në shumë raste ishte shndërruar në një shok me të cilën ajo bisedonte e ndante orë të gjata.

“Mirushi nuk ishte i kafeneve as i lokaleve. Ishte me Lolën (bashkëshorten) përkrah duke bërë ecje. Qeshte me sy e fliste me zemër. Mësonte dhe na mësonte. Ishte i hapur për biseda. Unë e kam pasur shumë shok e baba. Do më mungojnë pafundësisht bisedat e tij. Të dëgjonte. Njerëzit sot kanë harruar të dëgjojnë", tha Mendi Kabashi për Report tv.

Deri më tani disa nga artistët që kanë ardhur të bëjnë homazhet kanë qenë Luftar Paja, Zamira Kita, kastriot Çushi, Zhani Ciko, Aishe Stari dhe shumë të tjerë. Për kolegët, skenës shqiptare do ti mungojë ‘Sokrati’, ai që diti të ishte shumëdimensional me artin e tij. Aktori Luftar Paja shprehu vlerësimin e tij për Mirush Kabashin, duke e cilësuar si një figurë që do i mungojë mbarë kombit shqiptar.

"Sot përcjellim një figurë shumëdimensionale që do t’i mungojë kombit. Rrezatonte gjithë jetën mirësi. Ashtu si kishte emrin Mirush ashtu rrezatonte në art, në kulturë në shoqëri në familje. Kur ka qenë pedagog, ka pasur student djalin tim dhe kam mbresat më të mira për figurën e Mirush Kabashit”- tha Luftar Paja.

“Nuk ishte i kafeneve e lokaleve”, homazhet për Mirush
Luftar Paja

Një tjetër njeri i skenës, i pranishëm në homazhet për Kabashin, Zhani Ciko, tregoi bashkëpunimet me aktorin e ndjerë. Ciko tha se Mirush Kabashi jetonte për rolet e tij.

“Mirushi mendonte për rolet e tij, jetonte për to. Një ditë Mirushi më afrohet dhe më thotë; kam përgatitur rolin që do të jetë më i rëndësishmi në karrierën time. Unë i thashë; ty nuk të thuhet jo se ti nderon skenën. Kur bëjmë ne koncertin, skena do të jetë e jotja. U habitëm se ishte veshur me një veshje të veçantë dhe doli e interpretoi ‘Sokratin’ e tij për herë të parë. Mua më ngjalli sadisfaksion”, tha Ciko.

“Nuk ishte i kafeneve e lokaleve”, homazhet për Mirush
Zhani Ciko

Mirush Kabashi kishte fituar vëmendjen edhe të politikanëve. Disa nga politikanët pjesëmarrës në homazhet e sotme janë kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Gjithashtu i pranishëm në homazhet e sotme, ishte dhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili e quajti Kabashin një mbret të skenës.

“Erdha për të shprehur mirënjohjen tonë dhe admirimin e pakufishëm, gjeniun e skenës, filmit dhe teatrit, Mirush Kabashi. Për Mirushin, ka gjithnjë celebrim të asaj trashëgimie që ky lë për ne dhe brezat që vijnë. Ai vërtetë që ndahet, por ndahet duke lënë një trashëgimi mahnitëse. Ai ishte mbret në skenë, askush tjetër nuk arriti të sublimohet në interpretimet e tij në personazhet që mori përsipër.

Ai u largua si Sokrat i kësaj kohe, në sensin që me apologjinë e Sokratit shënoi kulmin e tij në skenën shqiptare dhe ndërkombëtare. Ngushëllimet më të ndjera familjes. Respektin dhe nderimin më të madh për veprën e pavdekshme të Mirush Kabashit”, tha Berisha.

“Nuk ishte i kafeneve e lokaleve”, homazhet për Mirush
Berisha duke kryer homazhe

Kabashi u përcoll për në banesën e fundit në varrezat e Sharrës, ndërsa i la Shqipërisë një trashëgimi të pafundme me rolet e tij. Lamtumirë mjeshtër!

/ZËRI

Poll

MOS HUMB