Nesër homazhet për Mirush Kabashin në hollin e Muzeu Historik Kombetar

TIRANË- Nesër do të mbahen homazhet në nder të mjeshtrit të madh të skenës, aktorit Mirush Kabashi. Ceremonia do të zhvillohet në Muzeun Historik Kombëtar, e cila do të zgjasë tre orë. Ministria e Kulturës ka bërë me dije se ceremonia nis nga ora 10:00 dhe përfundon më 13:00, në hollin e Muzeu Historik Kombëtar.
Arti shqiptar është sot në zi, pasi aktori Murish Kabashi u nda nga jeta në moshën 75 vjeçares. Lajmin e hidhur e bënë të ditur vetë familjarët e aktorit, duke thënë se ai vdiq pas mesnatë më 5 dhjetor në Tiranë. Ai humbi betejën me një sëmundje të rëndë me të cilën luftonte prej tri vitesh, duke u kuruar edhe në Turqi, ndërkaq që fitoi luftën ndaj kohës, përjetësinë, me artin që reziston.
Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër dhe është rritur në Durrës, ndërsa është fitues i çmimit Artist i Merituar i Shqipërisë. Ai ka interpretuar mbi 100 personazhe në teatër dhe 20 në filma.Origjina e tij është nga Gjakova. Me 1970 u diplomua për Aktrim në Institutin e Lartë të Arteve në Tirane dhe filloi punë në teatrin “Aleksander Moisiu” të Durrësit. Aty, vazhdoi deri në vitin 1994, duke pasur edhe rolin e drejtorit, 1991-1993.
Artistë dhe politikanë shprehën ngushëllimet më të ndjera familjarëve dhe publikut për këtë humbje të madhe.
Mediat e bënë të vdekur, Mirush Kabashi: Pata kënaqësinë të lexoja çfarë thoshin njerëzit për mua

TIRANË- Aktori i madh i skenës shqiptare, Mirush Kabashi, ndërroi jetë mesnatën e sotme në moshën 75-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të rrallë të filmave dhe roleve që ka pasur në Teatër. Gjatë viteve të fundit të jetës së tij, ai kishte kaluar disa sfida të vazhdueshme, dhe në një rast u shpërnda lajmi se ai kishte ndërruar jetë në vitin 2021.
Vetë aktori i madh e ka kaluar me sportivitet këtë lajm që u shpërnda, e në një rrëfim në Festivalin e Këngës, tha me humor se kishte pasur kënaqësinë që të lexonte se çfarë shkruanin njerëzit pas ‘vdekjes’ së tij.
Jeni i vetmi që e dini çfarë kanë thënë njerëzit për ju pas vdekjes?
Unë pata kënaqësinë që të provoj se çfarë kam lënë pas, kam përjetuar një kënaqësi, pasi kam kuptuar që ajo që do lë pas është pasuria më e madhe që mund ti lija familjes sime, është emri që do lë.
Në kujtim të Mirush Kabashit

TIRANË- Sot u shua një tjetër yll i skenës shqiptare! Mirush Kabashi mbylli sytë sot në moshën 75-vjeçare duke lënë pas një pasuri të madhe. Me më shumë se 100 personazhe në teatër dhe me mbi 20 në filma na ka lënë kujtime dhe batuta të pashlyeshme...
Këto janë disa të zgjedhura nga ZËRI:
Shuhet 'Sokrati'! Lamtumirë Mirush Kabashi

TIRANË- Shuhet ‘Sokrati’ shqiptar! Artisti i mbarë popullit shqiptar, Mirush Kabashi ka mbyllur sytë sot në moshën 75-vjeçare duke shtuar një tjetër yll në plejadën e aktorëve që nuk janë më mes nesh, por do të mbeten gjatë në memorie me punën e tyre. Në orët e para të mëngjesit të sotëm, sëmundja e rëndë që e mundonte prej vitesh, e ka 'marrë' Kabashin. Edhe pse luftoi gjatë, shkoi edhe në Turqi për t'u kuruar sërish nuk ia doli.
Por kush ishte Mirush Kabashi?

Më mirë se të gjithë, ka folur ai për veten, duke treguar detaje nga jeta e tij. Ai lindi në Shkodër, në një familje të përzier. Nëna ishte nga Durrësi, babai nga Gjakova, vetë u lind në Shkodër. Por u rrit dhe u shkollua në Durrës, buzë Adriatikut, atje ku edhe ndërtoi familjen e tij të vogël me bashkëshorten dhe 2 vajzat. Atje jetoi deri në vitin 1993, kur vendosi që të shkëputej për punë në Tiranë, ndërsa edhe familjen e mori pas 5 vite më vonë.
E gjithë jeta e tij është e mbushur me rastësi që e kanë bërë atë që është! Një mjeshtër. Në çdo dalje televizive fliste për nënën, babanë e shkolluar në një shkollë amerikane dhe për gjyshen që nuk e njohu kurrë.
"Jemi 4 vëllezër. Në familjen time ka qenë tendeca për të shkolluar fëmijët. Babai djemtë donte t'u jepte shkollë. Por kishte dhe një dëshirë që të kishte një vajzë për të vendosur emrin e nënës që i ishte ndarë nga jeta para kohe. Kërkoi me ngulm një vajzë, por dola unë, ndaj dhe kam emrin e Mirushes, gjyshes time,"-tregonte ai.
Teksa endej skutave të mendimeve të rinisë, kujton edhe mundësinë që iu dha për të vazhduar shkollën si aktor, edhe pse ëndërr e kishte që të bëhej inxhiner. Por koha nuk ishte në favor të tij. Duhet të zgjidhte, ndaj për të vazhduar rrugëtimin në udhën e dijes bëri kompromisin e tij, pa e ditur që do të kthehej në një personazh që kurrë nuk do të harrohet.

"Më pëlqente që të shumë teatri, filmi. Kur isha në vitin e trëtë unë u inkuadrova rastësisht në një rreth artistik. Mu dha roli i një kuestori, patën shkruajtur edhe gazetat. Në vitin e katërt kisha një tjetër rol. Gjergj Vlashi më kishte ftuar të merrja pjesë me estradën, por nuk kisha interes. Pasioni im ishte tek inxhineria elektrike. Më pëlqente fizika, por mundësia që unë të shkollohem ishte vetëm një që të behësha aktor sepse dy vëllezërit e mi kishin mbaruar shkollat e larta. Njëri për Kimi industriale dhe i dyti matematikë. Duhej vetëm një nga një familje që të mbaronte. Unë isha krejtësisht i djegur. Ky qe edhe argumenti që përdorën vëllezërit e mi ndaj tim eti. I thanë të paktën të shkollohet në një nivel të lartë. Më pëlqente të shikoja filma dhe për shfaqje teatrore. Ish-drejtori i gjimnazit nguli këmbë dhe ai më tha se duhet të shkosh të japësh provimin. Nuk u paraqita në fazën e parë. Ai e mori vesh dhe influencoi që të merrja pjesë tek të prapambeturit. Kështu u hap drita jeshile për të vazhduar diku që më dukej shumë lart. Profesioni artistik nuk përdoret me bazat e librave por "vidhen"."
Në vitin 1970, ai u diplomua si aktor në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe filloi punë në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Kishte nisur aktivizimin, por biografia e tij i hapi problemet e para. Babai i shkolluar në një shkollë amerikane dhe një dajë i pushkatuar do të bëheshin pengesa e parë për profesionin e tij. 2 vite u shkëput tërësisht dhe nisi që të punonte në hekurudhë. Nuk kishte zgjidhje tjetër. Derisa një personazh me peshë e kishte parë dhe kishte thënë fjalën e tij për ta rikthyer në punë. Kjo bisedë e riktheu në skenë, ndryshe, do të kishim humbur një yll.
"Babai më kishte mbaruar një shkollë amerikane, një dajë ma kishin pushkatuar pa gjyq nq mënyrë mafioze. Në 74 nuk u lejova të xhiroja por shkova du herë të hekurudhë. Një person që kishte peshë tha 'po ç'ka bërë ai?', edhe i thanë që kisha një dajë të pushkatuar. Edhe ai tha një fjalë të mirë sepse kishte parë një shfaqje komedi "Kartela e verdhë" që kishte bërë namin në atë kohë, më shumë se Pallati 176."
Në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës vazhdoi punë deri në vitin 1994, duke pasur edhe rolin e drejtorit, 1991-1993. Më pas, punoi në Radio Televizionin Shqiptar, në departamentin e Programeve Artistike si ideator dhe prezantues, ndërsa nga 2002 e në vijim në Teatrin Kombëtar. Nga viti 1985, me periudha të ndërprera, është aktivizuar si pedagog i “Mjeshtërisë se Aktorit” pranë Akademisë së Arteve. Ai është nderuar me titujt e lartë “Nderi i Kombit”, “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.
Filmografia
* Kronikë provinciale (2009)
* Ne dhe Lenini (2008)
* Nata (1998)
* Edhe ashtu edhe kështu (1989).... Babai i Almës
* Binarët (film) (1987)
* Telefoni i një mëngjesi (1987)....Kujtimi
* Zëvendësi i grave (1987)......... Lisimak Voci
* Nxënësit e klasës sime (1984)..Mësues Nardi
* Kohë e largët (1983) .........Asketi Lithan
* Dora e ngrohtë (1983) .........Brahushi
* Shoqja nga fshati (1980) .........Nasi (dajua i Tirkes)
* Një ndodhi në port (1980) ..........Calamani
* Gëzhoja e Vjetër (1980) .........Bake
* Radiostacioni (1979) ......Një nga tekniket e Radios
* Koncert në vitin 1936 (1978)... Toger Shazivari
* Zani partizani (1976) (TV)....Partizan-vëlla i Zanit
* Emblema e dikurshme (1976) ........Veniamin Papa
Mes personazheve, më i njohuri për publikun është padyshim "Maku". Edhe pse në dukje i thjeshtë, përpunimi për krijimin e tij, e ka munduar.
"Nuk është një personazh i lehtë. Ai ka një abuzim. Tek personazhi im ishte pikërisht kjo që nuk mund të eci një shoqëri përpara nëse nuk i gjen një njeriu punën për të cilën nuk është i dobishëm."
Fati e ndihmoi edhe të krijonte familjen e tij, me një vajzë durrsake, me të cilën solli në jetë 2 vajza. Por krijimi i familjes nuk erdhi pa vendime të vështira, veçse kësaj herë ajo që u sakrifikua, ishte ajo që do t'i dhuronte familjen. Gjënë më të shtrenjtë që kishte.

"Jam martuar me një studente timen. Mendoj që është shumë e vështirë të krijosh një familje me dy artistë. Aq më tepër dy artistë të skenës, prandaj e bëra këtë kompromis me time shoqe. Unë nuk kam qenë në lindjen e fëmijës së parë. Isha në Gjirokastër dhe nuk bëhej fjalë të merrja leje. Me lindjen e vajzës së dytë isha në Tropojë. Jam ndjerë keq që në asnjë prej lindjeve nuk kam qenë pranë gruas time."
Por puna e tij e palodhur i ka sjellë edhe vlerësimet e merituara. Në festivalin Kombëtar të teatrove profesioniste 1989 Kabashi u shpall “Aktori me i mire” me rolin e Sadush Nezirit te komedia "Hija e tjetrit". Po me këtë rol, në Festivalin Teatror Ballkanik të zhvilluar në Korinth të Greqisë, u vlerësua si nder aktorët më të mirë. Në vitin 2002, fitoi çmimin e “Aktorit më të mirë” si protagonist në Festivalin e Aktrimit “Apollon 2002” me rolin e Nokës në komedinë “Sa mirë bëri që vdiq” e Ilir Bezhanit. Më 1997, në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të teatrit të organizuar në Kajro të Egjiptit, Mirush Kabashi është vlerësuar me “Sfinksin e artë” si interpretuesi më i suksesshëm mes njëmijë aktorëve pjesëmarrës nga dyzetegjashtë vende të botës. Për të mos folur më pas për titujt e tjerë si "qytetar nderi", apo dhe "artist i merituar".
Artist i merituar ishte...edhe në fjalët e fundit që i tha publikut të tij që për dekada nuk ia kurseu duartrokitjet.
"I përulem profesionit, i përulem spektatorit, i përulem disaporës për të dhënë eksperiencën time. Kjo sedër më ka penguar, por brenda vetes time më ka lehtësuar."/ZËRI
Arti në zi! Personazhe publike e politike shprehin ngushëllime: Lamtumirë Mirush!

TIRANË- Sot është ndarë nga jeta në moshën 75-vjeçare aktori i madh Mirush Kabashi. Kabashi është aktor i rreth 100 roleve, në teatër dhe filma, ndërsa shpesh e kemi parë edhe si prezantues të aktiviteteve të shumta artistike. Personazhe të njohur publikë dhe figura politike kanë shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Mirush Kabashit, i cili ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare.
Kryeministri Edi Rama teksa ka ndarë një foto të artistit, në rrjete sociale ka shkruar shkurt: “Lamtumirë Mirush”.
Presidenti Bajram Begaj ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të artistit të mirënjohur, Mirush Kabashit. Begaj shkruan Kabushi ngriti peshë sallat kudo performoi.
“Lamtumirë Artistit që mbajti gjallë brenda nesh dashurinë për artin dhe ngriti peshë sallat kudo performoi! Lamtumirë “Nder i Kombit”, Mirush Kabashi”, shkruan Begaj.
Gjithashtu kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka reaguar për ndarjen nga jeta të aktorit të mirënjohur Mirush Kabashi. Nikolla shprehet se Kabashi ishte një artist i madh që i dha jetë veprave të mëdha artistike, nga vendi dhe arti botëror.
“Artisti i Merituar Mirush Kabashi u nda sot nga jeta. Por shqiptarët do ta kujtojnë për veprën dhe trashëgiminë e tij. Mirushi ishte një artist i madh. Me krijimtarinë e tij u dha jete veprave të mëdha artistike, nga vendi dhe arti botëror. Metalentin e tij, me mbi njëqind personazhet që krijoi në skenë dhe në ekran, Mirush Kabashi na bëri të mendojmë, të reflektojmë, shpesh edhe të qeshim, për problemet e mëdha të shoqërisë. U prehsh në paqe, Mjeshtri ynë i madh dhe i paharruar!”, shkruan Nikolla.
Për ndarjen nga jeta të “Mjeshtrit të Madh”, Mirush Kabashi ka reaguar edhe kompozitori i njohur Shpëtim Saraçi. Saraçi e konsideron Mirush Kabashin si “Eskilin” shqiptar, një prej dramaturgëve më të mëdhenj.
“Mik i mrekullueshëm e padiskutim i madh, na idhnove jo pak. I lehtë të qoftë dheu. I madhi Zot i forcoftë familjarët e tu për ta përballuar dhimbjen. Të gjithëve do na mungosh në të gjitha kuptimet por edhe do të kemi gjithmonë në memorie për gjithçka na fale. Lamtumirë Eskili i paharruar shqiptar. R.I.P i madhi Mirush Kabashi”- shkruan Saraçi në reagimin e bërë.
Ngushëllime ka shprehur edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj për ndarjen e parakohshme nga jeta të aktorit Mirush Kabashi. Veliaj shkruan: “I trishtë lajmi për ndarjen nga jeta të aktorit të madh të skenës, interpretuesit të rrallë të poezisë, të artistit Mirush Kabashi. LAMTUMIRË i madhi Mirush!”
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar për ndarjen nga jeta të Mirush Kabashit. Meta shkruan se ai ishte një prej ikonave më të dashura të skenës dhe ekranit shqiptar.
"Pikëllim të madh për largimin në amshim të "Nderit të Kombit", Mirush Kabashi, një prej ikonave më të dashura të skenës dhe ekranit shqiptar. Interpretimet emocionuese të këtij artisti të jashtëzakonshëm, personazhet që jetësoi në film e teatër, si dhe trashëgimia e vyer artistike që fituan zemrat dhe merituan duartrokitjet e ngrohta të artdashësve do të nderohen dhe kujtohen gjithmonë me respekt! Ngushëllimet më të ndjera për familjen", shkruan Meta.
Një nga kolegët e tij, aktori i madh shqiptar Bujar Asqeriu ka shprehur ngushëllimet për vdekjen e aktorit të madh Mirush Kabashit. Sipas tij Mirush Kabashi tregoi se Shqipëria paska aktorë të kalibrit botëror.
“Mirush Kabashi ishte nja aktorët e rrallë tragjik-komik të artist shqiptar. Së pari më lejoi të shpreh ngushëllimet. Pas dhjetëra roleve në kinematografi dhe skenike krijoi një figurë të artit shqiptar. Ne rolin e ‘Sokrati’ krijoi një rol të madh. Ne jemi njohur në vitin 1997, Mirushi aty luante figurat e një prej punonjësve të radio stacionit. E paraqiste rolin para kamerave si një magjistar. Mirushi jepte diçka nga vetja dhe në takset e rolve të tij. Ai tregoi se Shqipëria paska aktorë të kalibrit botëror. Është nderuar me çmime të rëndësishme kudo ku ka shkuar. I paharruar kujtimi i tij!”, u shpreh Bujar Asqeriu.
Një reagim prekës ka ardhur edhe nga aktori Vasjan Lami, i cili ka kujtuar njohjen dhe bashkëpunimet me Kabashin. lami tha se Kabashi ishte një etalon i aktorit jashtëzakonisht punëtor.
“Publiku ka adhuruar çdo rol të Mirush Kanashit. Ishte i veçantë. I jepje punën dhe rrije rehat. Ka qenë shumë vital, familjar, ai iku i ri. Ai në Durrës, hidhej nga porti dhe shkonte te Iliria dhe kthehej pas. Ai ka qenë skiator i mirë. Më vjen keq që gjithë ky angazhim fizik nuk ta shpërblen. Ai ishte shumë korrekt, elegant. Në koncertet poetike e ftoja Mirushin dhe ai më tregonte materialet. Asgjë nuk ka qenë e shpërblyer sa meritojë për artistët. Aktori është profesion i privilegjuar, ke dhe adhurim në popull. Ne bëjmë 5 lekë punë dhe na e shohin të gjithë, por është profesion me përgjegjësi, pasi vihesh përballë dhe gjykohesh nga shumë njerëz. Jetesa këtu është e pallogaritshëm, është qesharake!”, tha ai.
Aktori Bujar Kapexhiu ka shprehur ngushëllimet për vdekjen e aktorit të madh Mirush Kabashit. Kapexhiu vlerësoi figurën e Kabashit, ndërsa theksoi se ai ishte tepër i veçantë për nga talenti.
"Një humbje e madhe për familjen, miqtë, shokët dhe artin shqiptar. Themi shpesh për aktorët dhe regjisorët që janë të rrallë, por për Mirushin fjala e sinqertë është; një aktor dhe artist i rrallë. Ai ka qenë një aktor i talentuar, virtuoz. Atë e dallonte nga të tjerët, serioziteti, këmbëngulja dhe puna që bënte me rolin, madje ne thonim; e tepron më këtë seriozitet. Mbi këtë material më pas kishte një punë të jashtëzakonshme. Ai kishte korrektesë për gjithçka.”, tha ai.
Aktorja Margarita Xhepa ka reaguar për ndarjen nga jeta të aktorit të madh, Mirush Kabashi.
jo foli për karakterin e Mirush Kabashit, duke e përshkruar atë si një njeri shembullor që jetonte për artin gjë që e tregonte në çdo rol të tij.
“I dashur, i sinqertë. Më fliste dhe buzëqeshte. Ishte një bashkëshort dhe prind shembullor. Po ashtu shembullor për kolegët e teatrit. Me atë buzëqeshjen e tij, me atë humorin e hollë. Ishim duke xhiruar në një azil pleqsh në Kavajë “Ne dhe Lenini”. Ai kishte një personazh të dorës së dytë, por ai shkëlqen edhe aty. Ai ishte një merak i jashtëzakonshëm, ai merrej dhe me detajet më të holla. Kishte pasion, e donte artin, shumë serioz në punë. Bënte vërejtje nga më të mirat, më të mençurat. Sepse ai ishte vetë arti. Ai sikur ishte vetë arti. E bënte gjithmonë çdo rol të vërtetë”- tha Xhepa.
Një reagim ka ardhur edhe nga krymenistri i Kosovës Albin Kurti, i cili është shprehur i pikëlluar me vdekjen e aktorit Mirush Kabashi. Kurti shkroi në Facebook se Mirush Kabashi “do të kujtohet gjatë për interpretimet e tij aq të fuqishme dhe mjeshtërore të poezisë shqipe”.
Postimi i plotë:
Me pikëllim nisi kjo e martë, nga lajmi i mëngjesit të sotëm që në orët e hershme të këtij 5 dhjetori, ka vdekur Mirush Kabashi, aktori i madh shqiptar i teatrit dhe i kinemasë. Mbi një qind role të luajtura në skena teatrore dhe në sheshxhirime filmash, gjatë një karriere më shumë se gjysmëshekullore të gjatë, tregojnë për aftësitë e larta profesionale të Mirush Kabashit si edhe për shpirtin e fuqishëm artistik të tij prej aktori.
Për brezat që e panë duke luajtur në skenë, Mirush Kabashi do të kujtohet gjatë për interpretimet e tij aq të fuqishme dhe mjeshtërore të poezisë shqipe. Pasi ta keni parë një herë Mirush Kabashin duke e interpretuar poezinë e Fan Nolit “Hymni i flamurit”, sa herë që t’i lexoni vargjet “O flamur gjak, o flamur shkabë…”, do t’iu rikthehet zëri i tij aq i fortë duke e recituar këtë poezi në shumë skena dhe evente.
Mirush Kabashi ishte “Sokrati” i vërtetë”, te “Apologjia e vërtetë e Sokratit” e autorit grek Kostas Varnalis. Mirush Kabashi e solli aq të gjallë Sokratin, madje duke i përngjarë pamjeve të skulpturave antike greke për Sokratin me mjekrrën dhe flokët e shpupurisura si dhe duke i folur me zërin e tij fjalët e atij që foli aq shumë pa shkruar ndonjëherë asnjë fjalë, Sokratit! I lindur më 17 prill 1948 në Shkodër por me origjinë nga Gjakova, ky shpirt artisti nga fisi i Kabashit, iu falë gjithë kulturës e popullit shqiptar nëpërmjet artit të tij dramatik. Ngushëllime familjes Kabashi, kolegëve të tij të lojës dhe të skenës, mes nderimesh e kujtimesh për mjeshtrin e aktrimit, Mirush Kabashin!
Një jetë në skenë! Rolet që shënjuan karrierën e Mirush Kabashit

DURRËS- Aktori i madh Mirush Kabashi, i cili mbylli sytë përgjithmonë pas mesnatës së sotme, i ka lënë kinematografisë dhe teatrit shqiptar dhjetëra role të interpretuara prej tij. Kabashi ishte shumëdimensional, nga skena e teatrit te filmi, e te interpretimi i poezive që ishte një tjetër pikë e fortë e tij.
Ai u diplomua si aktor në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë në vitin 1970, dhe më pas filloi punë në Teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Qytet i cili ishte i rëndësishëm në jetën e tij, pasi ishte vendlindja e nënës, ndërsa i ati ishte me origjinë nga Gjakova.
Roli i parë në të cilin spikati Mirush Kabashi, ishte ai i Telit në komedinë Kartela e Verdhë, e luajtur në vitin 1976. Roli i tij ishte ai i një tifozi të pasoniuar që ndjek skuadrën e tij të zemrës nga ndeshja në ndeshje. Më pas Kabashi ka luajtur dhjetra role në Teatër dhe në film, një tjetër karakter ku ai spikati ishte në rolin e Diafarusit, në komedinë ‘I sëmuri magjinar’ të Molierit.
Kabashi ishte i njohur për elegancën e tij skenike. Roli i Sokratit ka qenë dhe më i rëndësishmi në karrierën e tij të pasur. Ajo ishte monodrama e parë në historinë e Teatrit profesionist në Shqipëri. Në këtë rol ai ka pësuar një transformim të plotë psikofizik, ndërkohë që punoi dukshëm dhe të folurën e tij.
"Emblema e dikurshme" - (1976)
"Gunat mbi tela" - (1977)
"Koncert ne vitin 36" - (1978)...Shazivari
"Radiostacini" - (1979)
"Gezhoja e vjeter" - (1980)...Bakja
"Karnavalet" - (1980)...Nikollaqi
"Shoqja nga fshati" - (1980)...Shoferi i autobuzit
"Një ndodhi në port" - (1980)
"Kohë e largët" - (1983) ...Asketi Lithan
"Dora e ngrohte" - (1983)...Brahushi
"Nxënsit e klasës sime" - (1984)...Profesor Nardi
"Binarët" - (1987)...Dyri
"Telefoni i një mëngjesi" - (1987)...Kujtimi
"Zëvendësi i grave" - (1987)...Maku
"Edhe ashtu edhe kështu" - (1989)...Apostol Sako
"Nata" - (1998)
"Ne dhe Lenini" - (2008)
/ZËRI
Shuhet në moshën 75-vjeçare aktori i madh Mirush Kabashi

TIRANË- Shuhet në moshën 75-vjeçari aktori i madh i skenës Mirush Kabashi. Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët e tij, të cilët nëpërmjet një njoftimi bëjnë me dije se Kabashi ka mbyllur sytë mesnatën e sotme.
"Të nderuar Miq, Kolegë dhe Dashamirës, me pikëllim të thellë ju njoftojmë se MIRUSH KABASHI ndërroj jetë të Martën, në datë 5 Dhjetor pas mesnate. Përsa i përket detajeve të ditës, orës së varrimit dhe homazheve do ju komunikojmë në orët në vazhdim. Me Respekt, Familja Kabashi!", thuhet në njoftim.
Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër dhe është rritur në Durrës. Origjina e tij është nga Gjakova, në Kosovë. Ai është aktor i rreth 100 roleve, në teatër dhe filma, ndërsa shpesh e kemi parë edhe si prezantues të aktiviteteve të shumta artistike.
Gjithashtu, Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare.
E ndërsa një pjesë të jetës së tij ia ka kushtuar edhe teatrit me rolet e tij të larmishme, ku ndër to më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apollogjia e fundit e Sokratit”. Që prej vitit 2014 mbante titullin e lartë “Nderi i Kombit”, më parë kishte titujt “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.
Nga viti 1985, me periudha të ndërprera, është aktivizuar si pedagog i “Mjeshtërisë se Aktorit” pranë Akademisë së Arteve.
Ai është nderuar me titujt e lartë “Nderi i Kombit”, “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.
Filmat ku ka marrë pjesë:
* Kronikë provinciale (2009)
* Ne dhe Lenini (2008)
* Nata (1998)
* Edhe ashtu edhe kështu (1989).... Babai i Almës
* Binarët (film) (1987)
* Telefoni i një mëngjesi (1987)....Kujtimi
* Zëvendësi i grave (1987)......... Lisimak Voci
* Nxënësit e klasës sime (1984)..Mësues Nardi
* Kohë e largët (1983) .........Asketi Lithan
* Dora e ngrohtë (1983) .........Brahushi
* Shoqja nga fshati (1980) .........Nasi (dajua i Tirkes)
* Një ndodhi në port (1980) ..........Calamani
* Gëzhoja e Vjetër (1980) .........Bake
* Radiostacioni (1979) ......Një nga tekniket e Radios
* Koncert në vitin 1936 (1978)... Toger Shazivari
* Zani partizani (1976) (TV)....Partizan-vëlla i Zanit
* Emblema e dikurshme (1976) ........Veniamin Papa
/ZËRI