Aktualitet

Lëshonte diploma false të shkollës së mesme për 3 mijë euro, GJKKO dënon mësuesin e Edukimit Fizik

Më pas GJKKO urdhëroi pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe caktoi ndaj tij masën shërbim prove për një periudhë kohe prej 3 vitesh.

I.F
Lëshonte diploma false të shkollës së mesme për 3
Shkolla 9-vjeçare Adem Bedalli

PEQIN- Gjykata e Posaçme ka dënuar me 3 vite shërbim prove mësuesin e Edukimit Fizik Adrian Cani në shkollën 9-vjeçare “Adem Bedalli” në Peqin. Cani jepte diploma të shkollës së mesme për studentët kundrejt një pagese prej 3 mijë eurosh, pa qenë nevoja që ata të frekuentonin institucionin. Ai u mor si i pandehur nga Prokuroria e Posaçme në vitin 2023 për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Ai fillimisht u dënua nga GJKKO me 2 vite dhe 3 muaj heqje lirie, por përfitoi nga gjykimi i shkurtuar dhe do të kryente vetëm 1 vit e 6 muaj burg. Më pas GJKKO urdhëroi pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe caktoi ndaj tij masën shërbim prove për një periudhë kohe prej 3 vitesh.

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin për gjykim të çështjes që i përket procedimit penal nr. 74 të vitit 2023, në ngarkim të të pandehurit Adrian Cani, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i katërt i Kodit Penal”.

Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim btë gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Flojera Davidhi dhe Ardit Mustafaj, me vendimin Nr. 63, datë 25.10.2024 vendosi:

Deklarimin fajtor të të pandehurit Adrian Mustafa Cani, për veprën penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i katërt i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2(dy) vite e 3 (tre) muaj burgim.

Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Adrian Mustafa Cani, i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim.

Në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënien në provë për të pandehurin Adrian Mustafa Cani, për një periudhë kohe prej 3 (tre) vitesh, me kusht që gjatë kësaj kohe mos të kryejë vepër tjetër penale si dhe të mbajë kontakte me Drejtorinë e Shërbimit të Provës që mbulon vendbanimin e tij.

Në aplikim të nenit 190 të Kodit të Proçedurës Penale, provat materiale, konkretisht një DVD-R, me kapacitet 7.2 GB, emërtuar “Spak” “Fiks Fare”, e datës 20.04.2023, një CD e përcjellë me shkresën nr. 7161 prot, datë 11.07.2023, e kompanisë telefonike Vodafonë të mbeten pjesë e fashikullit.

Shpenzimet gjyqësore dhe ato të hetimeve paraprake i ngarkohen të pandehurit.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brënda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi”, njofton GJKKO. /ZËRI

Poll

MOS HUMB