
TIRANË- Gjykata e Tiranës ka lënë në burg 3 nga 7 personat e arrestuar për magazinën e kanabisit, që u zbulua pak ditë më parë në zonën e Selitës. Në seancën e sotme u caktua masa e sigurisë "arrest me burg" për Erlind Tresën, Asqeri Likajn, mirëmbajtësin e godinës së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe Elvis Lalën.
Ndërkohë për Reshit Tresën dhe tre punonjesit e OSHEE, Ervis Pashollari, Elton Cenaliu dhe Gëzim Gjonpali u caktua në "arrest shtëpie". E ndërkohë organizatori i shtëpisë së barit, 46-vjeçari Saimir Karaj, vazhdon të jetë në kërkim.
Denocimin e bëri ish-deputeti i Partisë Demokratike (tashmë anëtar i Këshillit bashkiak të Partisë Socialiste) Halit Valteri. Ky i fundit sapo kishte marrë një detyrë të re në zyrën e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe kishte shkuar për inspektim. Por kishte pikasur mjete që zakonisht përdoren për kultivimin e kanabisit në ambiente të mbyllura. Në këtë moment i ka dhënë sinjalin ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha. Kështu u vu në lëvizje Policia për kapjen e laboratorit. Ndërkohë që Kadastra reagoi dje dhe deklaroi se nuk kishin lidhje me aktivitetin që po ushtrohej brenda godinës që kanë nën administrim.
Gjatë operacionit ‘Tuneli’, u gjetën dhe sekuestruan 193 bimë kanabis të kultivuara në vazo (183 prej tyre janë asgjësuar me anë të djegies ndërsa 10 janë dërguar për ekzaminime të mëtejshme), 100 bimë të thara të futura nëpër thasë, llamba elektrike, ventilatorë, tuba plastikë, pajisje aspirimi, filtra, bobina dhe sende të tjera që shërbejnë për kultivim bimësh narkotike me anë të llambave./ZËRI