
PËRMET- Një shqiponjë, simboli i kombit shqiptar është 'përdhosur' sot nga persona që ende nuk janë zbuluar se kush janë. Ishte deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ai që postoi i pari në Instagram videon e shqiponjës që ishte kryqëzuar e gjallë në rrjetën e asaj që dukej si një stan. Nga pamjet, shqiponja ishte e lidhur nga të dy krahët në rrjet, ndërkohë që i kishin thyer edhe këmbët për ta bërë të pamundur largimin e saj në rast se arrinte të lirohej. E larë në gjak, shqiponja priste fundin e saj. Por fatmirësisht apeli u dëgjua në kohë dhe menjëherë ndërhyri Policia e Përmetit.
"Shpendi (shqiponja), aktualisht po merr ndihmë të specializuar mjekësore nga veterineri, i cili ka asistuar shërbimet e Policisë, gjatë veprimeve për lirimin e shpendit, nga porta ku ishte lidhur,"-bën me dije Policia e Shtetit. Ndërkohë që shton se ishte varur me qëllim që të balsamosej e gjallë dhe më pas të shitej në tregun e zi.
NJOFTIMI I POLICISË:
Përmet
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet, specialistët e Agjencisë së Zonave të Mbrojtura dhe një veteriner, i shkojnë në ndihmë një shpendi (shqiponjë) që ishte keqtrajtuar në fshatin Buhal, rast për të cilin Policia u njoftua nga shtetasja S. L. Vijon puna për identifikimin e shtetasit që ka plagosur dhe ka lidhur shpendin, në një portë, me qbalsamosjen të gjallë. Rasti, me një impakt të lartë publik në rrjetet sociale, u vlerësua me seriozitet dhe menjëherë nga shërbimet e Policisë, të cilat vijojnë veprimet hetimore dhe procedurale për të identifikuar dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, autorin e këtij krimi që parashikohet dhe ndëshkohet nga neni 207/c i Kodit Penal. Shpendi (shqiponja), aktualisht po merr ndihmë të specializuar mjekësore nga veterineri, i cili ka asistuar shërbimet e Policisë, gjatë veprimeve për lirimin e shpendit, nga porta ku ishte lidhur. Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo paligjshmëri që ata hasin. Reagimi ndaj të gjitha denoncimeve do të jetë i menjëhershëm dhe konform ligjeve.
Ndërsa deputeti socialist ka premtuar se do ta kthejë në kauzë çështjen e shqiponjës, për të ndryshuar edhe Kodin Penal.
"Shihni çfarë i kanë bërë njerëz barbarë shqiponjës. Është simbol i kombit. Duket sikur e kanë vënë në kryq. Në fakt e kanë vënë në një rrjetë. Është gjallë akoma! Ishalla shpëton tani. Nuk do më gjejë shpirti rehat pa e parë të shkruar në Kodin e ri Penal dhe pa e votuar në Kuvend. Kush prek shqiponjën ka veç një dënim penal me burg që e nis nga 5 vite dhe shkon larg,"-shkruan Braçe në postimin e tij.
Aktualisht vepra penale për të cilën akuzohen keqbërësit e shqiponjës në fjalë dënohet me gjobë./Zëri.ai