
TIRANË- Dhjetëra qytetarë kanë nisur të denoncojnë në redaksinë e ZËRI-t, pasi kanë marrë kredi në institucionet mirofinanciare, të cilat më pas janë shitur tek Micro Credit Albania. Si në komente të videove të postuara në kanalet e ZËRI-t edhe në WhatsApp, qytetarët shprehen të shqetësuar për interesat e larta që u duhet të paguajnë tashmë për shuma që nisin nga 500 mijë lekë të vjetra.
Një grua shkruan se djalit të saj vetëm 18 vjeç, të papunë, i kanë dhënë kredi pa asnjë lloj dokumenti dhe tashmë u kërkojnë kthimin e parave me norma shumë të larta interesi.
Situata duket se ka agravuar në familjen e tyre dhe ka sjellë mjaft debate të forta.
“Na morën në qafë fëmijët dhe familjen, më ka marrë djali kredi tek Kreod.al në Pogradec, ai rri rrugëve tërë ditën, as punon, asgjë. Tani na i vuri zjarrin shtëpisë se kërkon lekë. Ne s’kemi që t’ia japim dhe t’i paguajë,”- shkruhet në një tjetër koment.
Të tjerë gjithashtu tregojnë rastet e tyre, faktin që u janë bllokuar llogaritë dhe dokumente të pronave që kanë.
Komentet e tjera:
Po pra presim ç’do bëni ju?????
Si mundet t’i japësh kredi dikujt që është i papunë. Si mundet t’i japësh dikujt që s’lë garantor që ai punon, ju lutem merni mase per kte gje
E kam paguar me mikrokredit se me bllokuan dokumentat e pronësisë.
Të na kthejnë lekët plehrat, mashtrues
Po tua heqin fare dhe të zhbllokojnë llogaritë e qytetarëve
Na morën fëmijët në qafë, kanë marrë fëmijët dhe i kanë prishur rrugëve, nuk paguajmë dot asgjë se s’kemi.
ZËRI po ndjek me prioritet të gjitha shqetësimet e qytetarëve lidhur me institucionet mikrofinanciare që japin kredi pa kriter, madje shumë prej tyre janë të palicensuar.
“Consulting Company”, “Final”, “Micro Credit Albania”, “ADCA”, “ZIG”, “FLASH” e “FS” janë disa prej kompanive që operojnë në Tiranë si fantazëm duke mos pasur një zyrë fizike ku qytetarët të shkojnë dhe të konsultohen apo ankohen pranë tyre.
Këto kompani blejnë edhe borxhet apo kreditë e këqija nga bankat e nivelit të dytë që mund të jenë marrë nga qytetarë të ndryshëm shumë vite më parë dhe sërish, përmes një telefonate u kërkojnë që të rimarrin kredi për të shlyer borxhin e mbetur.
Interesat që aplikohen të kujtojnë ‘fajdet’ e grupeve kriminale, vetëm se këtë herë mbajnë firmë dhe vulë.
Megjithatë, shumë familje janë detyruar të marrin kredi të reja për të shpëtuar nga borxhet e vjetra dhe mes kërcënimit e frikës se mund tu bllokohet paga.
Pak ditë më parë, ZËRI shkroi në të gjitha adresat zyrtare të këtyre institucioneve dhe vërtetoi se zyrat e tyre nuk ekzistojnë.
Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë nuk ka marrë asnjë masë, por ka vendosur të zgjasë edhe me 6 muaj të tjera pezullimin për subjektin financiar jobankë “Micro Credit Albania”, një vit pasi mori vendimin t’i pezullonte aktivitetin e kredidhënies.
ZËRI ka kërkuar informacion nga të gjitha këto kompani, të cilat refuzojnë të deklarojnë për ne, adresën zyrtare të tyre.