Aktualitet

Mafia shqiptare shtrihet edhe ne Peru! Kush është ‘koka’ e trafikut të kokainës, droga kamuflohej si peshk dhe kallamar

Kokaina shënohej me simbole si ylli dhe delfini për të garantuar cilësinë dhe origjinën, përpara se të dërgohej drejt Evropës.

F.I
Mafia shqiptare shtrihet edhe ne Peru! Kush është ‘koka’ e
Maglent Dybeli

PERU-Rrjetet kriminale nga Ballkani janë vendosur në Peru dhe konsiderohen ndër trafikantët kryesorë të kokainës drejt Evropës.  Autoritetet në Peru kanë zbuluar shtrirjen e mafies shqiptare të drogës në territorin e tyre, duke përdorur kryeqytetin Lima dhe portin e Callao si pika strategjike për trafikun ndërkombëtar të kokainës drejt Evropës.

Në qendër të skemës rezulton Maglent Dybeli, një shtetas me disa nënshtetësi dhe njohës i disa gjuhëve të huaja, i cili dyshohet se drejtonte operacionin. Sipas hetimeve, ai kishte ndërtuar një strukturë të mirëorganizuar për dërgimin e kokainës drejt tregjeve evropiane, kryesisht në Gjermani dhe Holandë, raportojnë mediat vendase.

Droga kamuflohej në kontejnerë me produkte deti si peshk dhe kallamar gjigant, si dhe në tulla, metoda që synonin shmangien e kontrolleve doganore. Regjistrimet audiovizuale të siguruara nga hetuesit tregojnë detaje të qarta të mënyrës së fshehjes dhe transportimit të lëndës narkotike. 

Kokaina shënohej me simbole si ylli dhe delfini për të garantuar cilësinë dhe origjinën, përpara se të dërgohej drejt Evropës. Një nga destinacionet kryesore ishte porti i Hamburg, ku rrjeti shqiptar dyshohet se kontrollonte shpërndarjen e mëtejshme.

Gjatë operacioneve policore në zona si Callao, Comas dhe Los Olivos, autoritetet sekuestruan dhjetëra pako droge, pajisje komunikimi dhe dokumente të falsifikuara. Në banesën e Dybelit u gjetën gjithashtu pasaporta dhe materiale që dëshmojnë shtrirjen ndërkombëtare të organizatës.

Provat e siguruara nga pajisjet elektronike përfshijnë komunikime të brendshme dhe gjurmë të dërgesave të mëparshme. Ndërkohë, ndaj Dybelit dhe bashkëpunëtorëve të tij është vendosur masa e paraburgimit prej 18 muajsh, ndërsa hetimet vijojnë për të zbërthyer plotësisht rrjetin dhe lidhjet e tij ndërkombëtare.

Poll

MOS HUMB