
KUÇOVË-SHKODËR – Dy aksidente me pasojë vdekjen e dy shtetasve u regjistruan në harkun e pak orëve në vendin tonë.
Një aksident i rëndë automobilistik, me pasojë vdekjen e një 37-vjeçari, ndodhi gjatë mbrëmjes së djeshme në aksin rrugor Kuçovë-Belsh.
Makina drejtohej nga një 22-vjeçar, që ka humbur kontrollin e mjetit, duke u përplasur me mbrojtëset metalike, anash rrugës. Përplasja ka qenë aq e fortë, sa barriera metalike, ka depërtuar mes për mes automjetit.
Shoferi K.K ka marrë plagë të lehta nga aksidenti, ndërsa në gjendje të mirë shëndetësore është edhe pasagjeri tjetër në mjet, një shtetas 14-vjeçar.
Paraprakisht dyshohet se shkak për aksidentin, është bërë humbja e kontrollit të makinës, nga drejtuesi i mjetit.
Ndërsa, sot në mëngjes, një aksident tjetër me pasojë vdekjen e një personi, ndodhi në aksin Shkodër-Koplik. Shtetasi E.I, duke drejtuar mjetin, ka aksidentuar për vdekje një 77-vjeçar. 24-vjeçari nga Gostivari u shoqërua, në polici, për t’u pyetur për ngjarjen.
“Rreth orës 05:40, në aksin rrugor Shkodër - Koplik, mjeti me drejtues shtetasin E. I., 24 vjeç, banues në Gostivar, Maqedoni e Veriut, ka përplasur shtetasin këmbësor M. P., 77 vjeç, banues në Omaraj, Malësi e Madhe. Si pasojë e përplasjes, shtetasi këmbësor ka humbur jetën. Ndërkohë drejtuesi i automjetit është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Shkodër. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për sqarimin e rrethanave të aksidentit”, njofton policia. /Zëri.ai/