
TIRANË- Drejtësia ka rihapur dosjen e një prej ngjarjeve më të rënda të vitit 1997, atë për masakrën e Urës Vajgurore ku u vranë 5 punonjës policie dhe u plagosën 6 të tjerë. I dënuar me burgim të përjetshëm për këtë masakër, Fran Marashi prej kohësh ka kërkuar rigjykimin e tij pasi pretendon pafajësinë, madje në një rast ai pretendoi se u arratis nga burgu, vetëm e vetëm që zëri i tij të dëgjohej.
Kjo dosje është marrë në ngarkim nga Gjykata e Posaçme e Apelit, pasi Gjykata e Tiranës kishte shpallur moskometencën. Në seancën që u mbajt këtë të martë në GJKKO, vetë Marashi ishte i pranishëm, ndërsa shoqërimi i tij nga burgu i Peqinit u bë nën masa të rrepta sigurie.
Për masakrën e Urës Vajgurore janë dhënë disa burgime të përjetshme, ndërsa dënimi për vetë Marashin fillimisht është dhënë në mungesë, pasi ai ndodhej në arrati për t’u arrestuar në vitin 2007.
Marashi ka pretenduar se është dënuar padrejtësisht dhe se në kohët kur gjykata ka dhënë vendimin, nuk ka pasur dijeni se ndaj tij zhvillohej një proces hetimor. Seanca e sotme u shty për shkak se nuk ishin lajmëruar familjarët e policëve të vrarë.
Marashi është ekstraduar nga Italia në vitin 2007, ndërsa dy vite më vonë, tentoi të arratisej nga burgu i Burrelit bashkë me Preng Lleshin, anëtar tjetër i bandës së Urës Vajgurore, veprim për të cilin do të deklaronte se e bëri për të tërhequr vëmendjen që procesi ndaj tij të rihapej./Zëri.ai