
TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka çuar për gjykim në gjykatë Renato Naston dhe katër të pandehurit e tjerë, konkretisht: Klea Priftin, Klaudio Leçinin, Klaus Kapedanin, Xhemal Seserin pasi akuzohen për mashtrim me vizat amerikane. Nasto përdorte një faqe në Instagram për të komunikuar me aplikantët ku reklamonte foto të pasaportave të shqiptarëve që përmes lidhjes me të e kishin marrë vizën amerikane. Ai u thoshtë aplikantëve se kishte njohje të brendshme në ambasadë dhe se do i ndihmonte të merrnin vizën.
Nasto paraqitej ditën kur aplikantët kishin intervistën në konsullatë, në Ambasadën Amerikane për marrjen e vizës. Ai i shoqëronte dhe i udhëzonte se si të silleshin gjatë intervistës. Pasi ata përfundonin intervistën, në rast se kualifikoheshin, ai merrte shumën prej 10.000 Eurosh. Lidhur me këtë lajm ka reaguar dhe ambasada amerikane, e cila thotë se vizat dhe aplikimet duhet të bëhen vetëm në rrugë zyrtare./ZËRI