
FIER- Fqinjët e çiftit të moshuar që u dhunuan nga 47-vjeçari Ilir Nukaj kanë folur rreth ngjarjes së rëndë që ndodhi ditën e djeshme. Ata thanë se ngjarja ndodhi jashtë dyqanit të të moshuarit dhe kanë mbetur të shokuar nga skena.
Fqinja tha se ajo dëgjoi zhurmë dhe doli jashtë ku pa 80-vjeçarin, Namik Rustemi të shtrirë në tokë dhe pranë tij ishte dhe bashkëshortja e tij 77-vjeçare.
“Pashë vetëm atë që ishte i shtrirë gjatë e gjera. Dëgjova zhurma nga e moshuara që po dhunohej. Në gjendje më të rëndë ishte 80-vjeçari. Ambulanca dhe policia erdhën menjëherë”, shprehet ajo.
Gjithashtu, nusja e djalit të të moshuarve tha se asaj nuk ia treguan menjëherë se çfarë ndodhi, por i thanë se kanë pësuar aksident. Më tej ajo shton se autori ka qenë në gjendje të dehur dhe shtë një person problematik në zonë, por nuk ka pasur asnjëherë probleme me familjen e saj.
“Ishim në punë, na morën në telefon e na thanë e ka shtypur makina, për të mos na tronditur. Erdhëm këtu, pyetëm na thanë që e ka goditur një person. Nuk di gjë (motivin). Kishte pirë, ashtu thonin, ishte i dehur”, tha ajo.
Mësohet se i moshuari është ende në intubim në Spitalin Raonal të Fierit, ndërsa bashkëshortja e tij nën kujdesin e mjekëve.
Dje një çift të moshuarish janë dhunuar nga Ilir Nukaj në Fier. 47-vjeçari kishte shkuar në dyqanin e të moshuarve për të blerë alkool. Por 80-vjeçari, pronari i biznesit, nuk ka pranuar që t'ja shesë pasi klienti njihej si një person problematik. Në shenjë hakmarrje, Nukaj i ka goditur dy të moshuarit Namik Rustemin dhe bashkëshorten e tij, 77-vjeç, me grushta. Si pasojë e dhunës së ushtruar, i moshuari ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe i intubuar në spitalin rajonal të Fierit. Policia njofton se i moshuari rrezikon jetën, ndërsa e shoqja e tij është mjekuar dhe më pas është larguar për në banesën. Nukaj, i cili ka precedentë penalë për krime ndaj personit, e tani akuzohet për veprën penale "Plagosje e rëndë me dashje". /ZËRI