
FIER- Dy biznese funerale në Fier janë përfshirë në një konflikt për shkak të konkurrencës. Në përplasje me njëri-tjetrin janë përfshirë pronarët e shërbimeve funerale "Emini" dhe "Siqeca". Sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Shtetit, 4 persona, përfaqësues të agjencisë funerale “Emini” i kanë zënë pritë tek rruga e Spitalit dy vëllezërve, pronarë të kompanisë "Siqeca". Pasi janë përballur me "konkurrentët", i kanë dhunuar me shkop bejsbolli.
Më pas, sherri ka agravuar deri në goditjen e një prej vëllezërve, i cili është transportuar menjëherë drejt spitalit ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Aktualisht, një prej autorëve të plagosjes ka përfunduar në prangat e Policisë, ndërsa 3 të tjerët janë shpallur në kërkim.
Njoftimi i Policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Personit arrestuan në flagrancë shtetasin K. N., 28 vjeç, dhe shpallën në kërkim shtetasit J. M., 47 vjeç, M. S. 38 vjeç dhe E. Rr., 35 vjeç, të gjithë banues në Fier, pasi dyshohet se për motive konkurrence, kanë goditur me send të fortë dhe kanë kanosur shtetasin E. S., 38 vjeç, banues në Fier. Ky shtetas aktualisht është në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën. Punohet për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim./ZËRI