
TIRANË- Nëna e vajzës 2-vjeçare, të djegur me cigare në trup nga i vëllai ka shokuar me deklaratën e saj sa i përket ngjarjes së rëndë, që në fillim u raportua si abuzim seksual dhe dhunë me dashje. Për MCN ajo shprehet se ngjarja ka ndodhur pa dashje ndërsa me gjakftohtësi deklaron se “fajtore” është dhe vajza për përhapjen e infeksionit pasi e ka kruajtur plagën me “me thonjtë e saj të qelbura”.
Ajo i ka qëndruar versionit të parë të dhënë para mjekëve dhe efektivëve të Policisë së ngjarja ka ndodhur aksidentalisht dhe se ndaj vajzës nuk është abuzuar.
Nëna: Po ka qenë tu loz goca përjashta dhe e hodhi, e kishte çuni cigaren dhe i ra goces pa dashje. E pranoi dhe çuni ne polici. E ka djeg me cigare se i dolën shenjat atje, dhe e ka kruajtur ajo me ato thonj të qelbura. E kanë pyetur çunin, pse e ke djegur motrën, pa dashje, kam qenë duke loz me motën. Kjo e ka kruajtur, shih se është përhapur. Atje ka mikrobe.
Familja, e cila i përket komunitetit rom jetonte në kushte të mjerushme varfërie në disa Baraka në zonën e Tufinës. Nuk dihet ende se kush ka qenë me vajzën në banesë kur ndodhi ngjarja dhe se përse vajza nuk është dërguar më parë tek mjeku.
Fillimisht ngjarja u raportua si dhunë e qëllimshme ndërsa kishte pretendime se ndaj vajzës ishte abuzuar dhe seksualisht. Por këtë të premte ekspertiza mjeko-ligjore i hodhi poshtë.
Ndërsa vetë Policia, disa orë pasi lajmi kishte qarkulluar në media dhe pas interesimit të Zëri.ai doli me një deklaratë për mediat ku e pasqyronte ngjarjen si aksidentale. Ndërkohë po sot, agjentët e Komisariatit numër 4 po përgatisin dokumentacionin e nëvojshëm që vajza e mitur të kalojë nën kujdesin e Shërbimit Social./Zëri.ai