TIRANË-Forca e Posaçme "Shqiponja" në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1 dhe Komisariatin e Policisë Nr. 2 kanë finalizuar operacionin policor “Skema”, në kuadër të të cilit është arrestuar Kumrie Zika. 39-vjeçarja e njohur si “Kumi”, është vendosur në pranga pas disa raportimeve nga bizneset në Tiranë, ku paraqitej për punë, por që në ditët e para vidhte xhirot ditore.
Policia njofton se janë dokumentuar të paktën 5 raste vjedhjesh në subjekte të ndryshme. Rasti i fundit ishte ai i 30 gushtit, ku Kumrie Zika u paraqit në një market në zonën e Liqenit të Thatë, ku kishte shkuar për provë. Megjithatë nuk kishte kaluar shumë kohë kur ajo ka marrë nga kasa xhiron ditore, në vlerën e 10.000 mijë lekëve, dhe më pas është larguar.
Më 15 korrik, në ditën e saj të parë të punës në një pikë të transfertave të parave dhe këmbimit valutor në zonën e njohur si “Vorri i Bomit”, ajo dyshohet se ka vjedhur 5 mijë euro. Më pas, sipas raportimeve, me të njëjtën skemë ka vjedhur edhe në një tjetër pikë “Exchange” në Vlorë.
Edhe më herët, sipas rasteve të raportuara në media, ajo paraqitej si e interesuar për pozicionin e kamariere, ndërsa pas pak orësh punë largohej duke marrë me vete xhiron ditore dhe paratë e kasës. Ndërkohë, nga kërkimet në internet rezulton se Kumrie Zika është shfaqur më herët në televizione të ndryshme si “eksperte punësimi” dhe opinioniste për çështje që lidhen me të drejtat e punonjësve dhe tregun e punës.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Skema”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 1 dhe Komisariati i Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.
Punësohej në subjekte të ndryshme me qëllim që të vidhte xhirot ditore, vihet në pranga 39-vjeçarja.
Dokumentohen 5 raste vjedhjesh në subjekte të ndryshme.
39-vjeçarja u kap në ambientet e një lokali në Tiranë, nga Forca e Posaçme "Shqiponja".
Në vijim të punës hetimore për parandalimin dhe goditjen e krimeve kundër pasurisë, si dhe për zbardhjen e ngjarjeve të ndodhura më parë, strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim të ngushtë me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Skema”.
Si rezultat i operacionit u bë kapja dhe ndalimi i shtetases të shpallur në kërkim K. Z., 39 vjeçe, banuese në Tiranë.
Nga hetimet e kryera, dyshohet se kjo shtetase punësohej përkohësisht në subjekte të ndryshme në Tiranë me qëllim për të vjedhur xhirot ditore, përpara se të largohej.
Në kuadër të këtij operacioni u dokumentuan 5 raste vjedhjesh të ndodhura në territoret e Komisariateve Nr. 1 dhe 2.
Punohet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer kjo shtetase.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të metejshme.


