
TIRANË- Kryetari në detyrë i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro është marrë në pyetje nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar lidhur me kallëzimin për tjetërsimin e pronave në bregdet. Për mediat, pasi doli nga SPAK, Goro bëri me dije se ishte thirrur për të dhënë shpjegime.
"Isha për shpjegime,"-tha Jorgo Goro para mediave, por nuk dha detaje të tjera. Kjo është hera e dytë që Goro merret në pyetje nga SPAK, ku për herë të parë u thirr në 5 tetor 2023.
Jorgo Goro dhe bashkëshorti i ish-ministres Olta Xhaçka, Artan Gaçi akuzohen se kanë tjetërsuar prona. Kallëzimi është bërë nga kryetari i zgjedhur i Bashkisë Himarë, Fredi Beleri. Beleri akuzon në kallëzimin e tij, kryebashkiakun e Himarës Jorgo Goro, Artan Gaçin dhe ZRVPP Vlorë për falsifikimin që i dha 5512 metra katrorë tokë, familjes Foto Pavllo Mëhilli.
Kjo pronë e cila është tokë truall, u regjistrua në ATMP si tokë bujqësore dhe më pas iu shit Artan Gaçit. Beleri që është edhe kallëzuesi për këtë çështje akuzon kryebashkiakun Jorgo Goro se ka vendosur një parcelë në një hartë që nuk ekzistonte duke shtuar se edhe numri i pasurisë nuk ekzistonte./ZËRI