TIRANË- Në GJKKO është zhvilluar sot procesi për dosjen "Metamorfoza", në ngarkim të Pëllumb Gjokës, Behar Bajrit dhe Edmond Prekës, ku kanë dëshmuar dy ish-policisë të patrullës së Vaut të Dejës.
Ish-policët Fran Gjokaj dhe Gëzim Demaj kanë dëshmuar para trupit gjykues lidhur me vrasjen e vrasjen e Gjin (Ndoji) Boricit.
Gjokaj, i cili ka qenë pjesë e patrullës atë ditë, ka rrëfyer se ka parë trupin e viktimës të shtrirë pranë automjetit dhe ka njoftuar menjëherë grupin hetimor, duke qëndruar në vendngjarje për të siguruar perimetrin derisa ka mbërritur patrulla e hetimit.
“Kam punuar në policinë e shtetit. Në gusht 2020 nuk kam pasur detyra, kam qenë në patrullë të përgjithshme në komisariatin e policisë Vau i Dejës. Kur është vrarë Gjin (Ndoji) Boriçi, e mbaj mend si ngjarje. Rreth orës 05.30-06.00 unë kam qenë duke shkuar në komisariat. Kemi shkuar te vendi i ngjarjes me kolegun tim dhe kemi konstatuar një automjet dhe një person të shtrirë mbrapsh. Personi ishte 2-3 metra larg mjetit në ngjyrë kafe. Kemi njoftuar grupin hetimor, erdhi dhe dorëzuam shërbimin ne 06.00 të mëngjesit. Erdhi patrulla dhe bënë shërbimin ato. Ne vetëm rrethuam vendimin e ngjarjes. Viktima ishte me shpinë nuk e dallova dot. Automjeti ishte i fikur dhe i mbyllur, nuk kishte dëmtime mesa pashë unë. Duhan në vendin e ngjarjes nuk mbaj mend të kem pirë."- u shpreh ai.
Ndërkohë ish-polici Demaj rrëfeu se ditën e vrasjes së Boricit e ka mësuar rastësisht gjatë shërbimit në patrullë dhe se nuk kishte marrë njoftim nga salla operative për ngjarjen.
“Në 2020 kam punuar në komisariatin e policisë Vau Dejës, patrullë e përgjithshme. Kam qenë turni i tretë ne gusht të vitit 2020, kur është vrarë Gjin Boriçi. Në 05:30 kam hipur në makina bashkë me një person tjetër dhe pranë një karburanti kishte ndodhur një vrasje. Unë kam parë vetëm makinën e ndaluar dhe i thashë shoferit, mbaje makinën se do shkoj në vendngjarje. Njoftova sallën operative, njoftova patrullën dhe viktima ishte 5 metra në krahun tjetër të rrugës. Kur shkova ishte makina e fikur dhe një person i shtrirë në tokë, i vdekur. Kam ndenjur deri në 08:30 aty. Kam gjetur 5 gezhoja aty dhe i fiksova aty kaq është detyrë e patrullës. E pashë rastësisht vetë, nuk e dija qe kishte ndodhur nje ngjarje, nuk u njoftova nga salla.”- u shpreh ish-polici.
Gjin Ndoji alias Gjin Boriçi u ekzekutua me armë zjarri në Gusht të 2020-s, në Shkejzë të Vaut të Dejës. Ndoji u gjet i pajetë gjatë orëve të mëngjesit, në rrugë, pranë makinës së tij të marrë me qira. Rreth një kilometër larg skenës së krimit, policia gjeti një makinë të djegur, që dyshohej se ishte përdorur nga autorët e krimit./ZËRI