
TIRANË- Një grup minatorësh janë mbledhur sot para Kuvendit të Shqipërisë për të protestuar. Edhe sot ata kërkojnë miratimin e statusit të minatorit dhe kushte më të mira pune, e cila shpesh herë u ka rrezikuar edhe jetën. Edhe pse të mbledhur dhe me megafon në dorë, asnjë prej deputetëve deri më tani nuk u është afruar, të paktën për t'i dëgjuar.
Një prej pjesëmarrësve në protestë i ka bërë thirrje Kuvendit të votojnë statusin e veçantë, ndërsa është shprehur “nëse nuk e bëni, ju vraftë gjaku i rënë i minatorëve”.
MOMENTI ME VIDEO:
Po ashtu, ata kanë kërkuar të futen në godinën e Kuvendit ndërsa synuan takimin me deputetët përfaqësues, por janw penguar nga frocat e Policisw sw Shtetit, pasi seanca plenare kishte nisur nw sallw.
“Nuk jemi këtu për të bërë luftë. Duam të takojmë deputetin përfaqësues,”- tha njëri prej tyre.
Por kjo nuk është hera e parë që minatorët protestojnë. Që në dhjetor të 2020 minatorët përmes Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, minatorët i dorëzuan Kuvendit një peticion me 10 mijë 680 firma për Statusin e Minatorit, por ende Kuvendi nuk e ka përfshirë në rend dite. Statusi i Minatorit shërben për minatorët dhe familjet e tyre. Nëse minatori vritet, aksidentohet apo ka një sëmundje të rëndë, familja apo minatori marrin mbështetje financiare përmes statusit. Po ashtu, marrin edhe një dëmshpërblim me vlerë 6 milionë lekë në rast aksidentesh me pasojë vdekjen në vendin e punës. Gjithashtu sipas draftit që aktualisht ndodhet në Kuvend, familjarët e viktimave duhet të marrin një pension të barabartë me 100% të pagës dhe bursa studimi për fëmijët. Në draft-propozimin e sindikatës, dëmshpërblim kërkohet edhe në raste aksidentesh me pasojë pamundësinë për punë apo aksidente më të lehta.
Sa i përket pagës, sipas propozimit minatori nuk duhet që të paguhet më pak se 235% e pagës minimale zyrtare. Me pagën aktuale minimale, minatorët kërkojnë rreth 61 mijë lekë pagesë bazë, shtesë në pagën bazë për vështirësi pune dhe paga e 13-të. Për minatorët në pension, kërkohet rritja në 35 mijë lekë. Një tjetër ndryshim kërkohet edhe për moshën e pensionimit. 53 vjeç duhet të pensionohen ata që kanë punuar për 11 vite, ndërsa ata që kanë 10 vite, 55 vjeç. Të gjithë kërkojnë kujdes shëndetësor të dedikuar, përfshirë barna 100% të rimbursueshme./ZËRI