
TIRANË- Studentët e mjekësisë do të firmosin një marrëveshje që do t’i detyrojë ata të punojnë në Shqipëri pesë vite pas diplomimit. Ky kusht është i vlefshëm për të gjithë ata që regjistrohen për herë të parë në Fakultetin e Mjekësisë, ndërsa për vitet e dyta deri në ato të gjashta, detyrimi për të punuar është tre vite.
Nëse kundërshtojnë mbajtjen peng të diplomës, pas përfundimit të shkollimit, alternativa tjetër është që të paguajnë deri në 14 herë më shumë tarifën e studimit. Ky vendim ka kaluar edhe në Kuvend, ndërsa viti i ri akademik, ka nisur me bojkot.
Gazetarja e Zëri.ai, Florida Mingla ka zhvilluar një intervistë me një prej studentëve të mjekësisë, Arbëri Shehu, i cili rrëfen peripecitë e të veshurit me bluzë të bardhë në Shqipëri.
“Faktikisht, verën e kaluar u përballëm me një projekt propozim nga qeveria që na detyronte që pas përfundimit të universitetit, të punonim deri në 5 vite në Shqipëri. Ne e kundërshtojmë me plot bindje dhe me forcën tonë maksimale si studentë, në mënyrë që të na sigurohet e drejta dhe liria jonë për të vendosur se ku do të punojmë. Ka shumë mjekë të ardhshëm që janë të gatshëm të punojnë brenda Shqipërisë, por përse të mos ikim të marrim një specializim? Nuk duam të ikim për të lënë vendin tonë pa shërbim, por të marrim një eksperiencë shumë të mirë jashtë vendit,”- e nis bisedën Arbëri.
Shteti gjerman, Suedia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendet që studentët e mjekësisë shohin mundësi për të ardhmen.
“Vendet perëndimore nuk janë si Shqipëria, nëse atje bën specializimin, paguhesh, ndërsa këtu tek ne, duhet të paguash. Ka pasur student që kanë marrë oferta punësimi edhe këtu në Shqipëri, por shumë prej tyre i kanë refuzuar edhe për shkak të planeve që kanë për të ardhmen. Pjesa e portalit është humbje kohe. Notat nuk vendosin në mënyrë të drejtpërdrejtë se sa i aftë është një mjek,”- shton Shehu më tej.
Rritja e pagave nuk është e vetmja mënyrë që parandalon ikjen e tyre. Duhen përmirësuar dhe kushtet.
“Në maternitetin e Fierit nuk kishte ujë, nëse unë jam një gjinekolog, si do ta pres një lindje?”- thotë studenti.
Momenti i shpërndarjes së bluzave të bardha, konsiderophet tallje me mjekët e ardhshëm.
“Nuk është hera e parë që ndodh. Kjo është deri diku një tallje me bluzat e bardha. Tregon mënyrën se si shteti trajton mjkekët dhe studentët e mjekësisë,”- thotë Arbëri.
Por nuk janë këto shqetësimet e vetme që kanë studentët. Shumë prej tyre janë tërhequr nga protestat, pasi kanë marrë dhe kërcënime.
“Kryesisht ata që kanë prindërit e punësuar në administratë. Por, ne nuk ndalemi. Po bëjmë gati procedurat për të depozituar një padi në Gjykatë,”- mbyll fjalën studenti i mjekësisë Arbëri Shehu.