TIRANË- Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka reaguar sot publikisht pas protestës kombëtare të zhvilluar nga Partia Demokratike mbrëmjen e kaluar, ku molotovë dhe gaz lotsjellës u hodhën drejt ambienteve të Xhamisë së Namazgjasë, e cila ndodhet në Rrugën e Elbasanit.
Sipas KMSH-së, në momentin e përplasjeve mes protestuesve dhe policisë, brenda në xhami po falej namazi i Teravive. Si pasojë e kaosit, disa besimtarë u lënduan dhe u detyruan të ndërpresin lutjen. Komuniteti bëri thirrje për maturi dhe vetëpërmbajtje nga të gjithë aktorët e përfshirë në ngjarjen e ditës së djeshme.
Reagimi i KMSH-së:
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme pranë Xhamisë së Namazgjasë, në një kohë kur besimtarët po falnin namazin e Teravive. Shprehim indinjatën tonë të thellë për lëndimin e pajustifikuar të besimtarëve, të cilët ndodheshin në ambientet e xhamisë për të kryer ritet e tyre fetare në paqe dhe qetësi.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka qenë gjithmonë një faktor i matur dhe i përmbajtur në qëndrimet dhe reagimet e tij publike. Megjithatë, kjo maturi nuk duhet të keqinterpretohet si tolerim i shkeljes së të drejtave dhe lirive kushtetuese të besimtarëve tanë. Në këtë kuptim, dënojmë me vendosmëri incidentin e ndodhur më 20 shkurt 2026 pranë Xhamisë së Namazgjasë, ku besimtarë të pafajshëm u lënduan pa asnjë shkak.
U bëjmë thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë që të tregojnë maturi, përgjegjësi dhe vetëpërmbajtje, në mënyrë që veprimet e tyre të mos cenojnë të drejtat dhe liritë e besimtarëve tanë apo të çdo qytetari tjetër. Disa prej besimtarëve ndërprenë edhe lutjen mbrëmjen e djeshme për shkak të kaosit të shkaktuar në xhami. Molotovë u hodhën fare pranë xhamisë, pasuar më pas nga gazi lotsjellës me qëllim shpërndarjen e protestuesve./ZËRI
