
TIRANË- Hakerat e “Homeland Justice” kanë goditur sërish! Kësaj here "shënjestra" ka qenë faqja e Institutit të Statistikave, e cila është e paaksesueshme për momentin. “Homeland Justice” kanë publikuar emrat e punonjësve të INSTAT, e-mailet, numrat e tyre të telefonit dhe adresat e banimit. Ndërsa foton me të dhënat që kanë marrë e kanë shoqëruar edhe me një mesazh, ku paralajmërojnë edhe sulme të tjera të ngjashme
Homeland: Paguani çmimin e injorimit të paralajmërimeve tona. Ndëshkimi juaj NUK do të përfundojë, ashtu siç keni dashur të jetë kështu… Zoti i foli Moisiut në shkretëtirën e Sinait "ditën e parë" të "muajit të dytë" të "vitit të dytë" pasi izraelitët dolën nga Egjipti. InStat tani është OutStad! Numrat dhe shifrat, statistikat… Ata janë të gjithë kundër jush, ju jeni armiku juaj i vetëm.
Sulmin në faqen e INSTAT e ka konfirmuar edhe vetë institucioni, pasi aktualisht faqja është e paaksesueshme nga qytetarët në motorët e kërkimit në Google dhe në faqen zyrtare. Po në të njëjtin njoftim bëjnë me dije se të dhënat e Censit të regjistruar vetëm pak muaj më parë, nuk janë prekur nga sulmi pasi janë të ruajtura në një server tjetër, i cili nuk është sulmuar nga hakerat iranianë.
"INSTAT informon opinionin publik se në datën 31 janar 2024, sistemet e saj informatike kanë qenë objekt i një sulmi kibernetik të sofistikuar. INSTAT ka reaguar me shpejtësi dhe profesionalizëm për të parandaluar dhe minimizuar dëmet e mundshme nga sulmi. INSTAT ka ndërprerë menjëherë lidhjet e internetit dhe ka aktivizuar protokollet e emergjencës për të siguruar mbrojtjen e të dhënave dhe informacioneve statistikore. Aktualisht, nga ekzaminimet e para të kryer nga ekspertët e Teknologjisë së Informacionit, disa nga sistemet e INSTAT janë ndikuar nga sulmi. Përgjigja e menjëhershme e INSTAT përfshin ndihmën e ekspertëve kombëtarë të sigurisë kibernetike, të cilët po bashkojnë burimet e tyre për të kryer një hetim të hollësishëm mbi këtë sulm. Objektivat kryesore përfshijnë përcaktimin e shkaqeve themelore të sulmit, vlerësimin e shtrirjes së dëmit dhe hartimin e zgjidhjeve efektive për të zbutur rreziqet e ardhshme. INSTAT siguron publikun se të dhënat e Censit nuk janë objekt i këtij sulmi pasi janë të ruajtura në sisteme të tjera të dedikuara vetëm për këtë qëllim. INSTAT po bashkëpunon ngushtë me autoritetet kompetente për të hetuar dhe identifikuar burimin dhe motivet e sulmit kibernetik dhe gjithashtu për të rikthyer funksionimin normal të sistemeve të saj informatike dhe për të forcuar masat e sigurisë kibernetike. INSTAT falënderon publikun për mirëkuptimin dhe mbështetjen e treguar në këtë situatë të jashtëzakonshme. INSTAT vlerëson lartë besimin e qytetarëve dhe partnerëve në punën e saj dhe angazhohet të vazhdojë të ofrojë statistika zyrtare të besueshme, të sakta dhe të pavarura,"-thuhet në njoftimin e INSTAT.
Që prej Krishtlindjeve, sulmet nga grupi i hakerave “Homeland Justice” janë rikthyer në institucionet shqiptare. Nga sulmuesit iranianë është sulmuar Kuvendi i Shqipërisë, kompania "One", "Air Albania", Tatimet, ILDKPKI dhe e-Albania. Të dhënat e marra janë nxjerrë për shitje në rrjet për vetëm 1 bitcoin. Edhe pse sulmet vazhdojnë, qeveria dhe institucionet shqiptare nuk kanë marrë asnjë masë për të parandaluar sulmet e tjera që janë parandaluar nga organizata.
Çfarë është HomeLand Justice?
'HomeLand Justice' është faqe e internetit që u shfaq para sulmeve kibernetike në portalin shtetëror e-Albania, në mes të korrikut 2022. Sipas analizës së Microsoft, pas faqes së internetit qëndron një grup i lidhur me Qeverinë iraniane, i cili është përgjegjës për sulmin në internet. Në faqen e internetit HomeLand Justice ekzistojnë disa publikime, në të cilat grupi merr përgjegjësinë për sulmin kibernetik, siç thuhet, për shkak të urrejtjes ndaj qeverisë shqiptare. Sipas tyre, shkak është strehimi që Shqipëria i ka bërë anëtarëve të MEK (Muxhahedinët Popullorë të Iranit).
MEK ishte ndër nxitësit dhe mbështetësit kryesorë të Revolucionit Iranian të vitit 1979, i cili rrëzoi regjimin e Shahut. Pas revolucionit, në Iran u vendos një sistem teokratik islamik nën udhëheqjen e Ajatullah Khoeminit, që hasi kundërshtinë e ashpër të MEK-ut që ishte kundër autokracisë islamike. Si pasojë, regjimi Iranian filloi persekutimin e anëtarëve të organizatës që detyroi drejtuesit e saj dhe mijëra anëtarë të emigronin. Ndaj edhe lidhja me sulmin e "Homeland Justice" bëhet me kampin e MEK në Shqipëri./ZËRI