JANINË- Një shtetas shqiptar është arrestuar nga policia greke mëngjesin e sotëm, pas një operacioni ku u sekuestruan rreth 167 kilogramë kanabis. Shqiptari, i paidentifikuar, përballet me akuza për trafik droge, drejtim të rrezikshëm të automjetit, falsifikim dokumentesh dhe shkelje të ligjit për të huajt.
Sipas mediave greke, ngjarja ndodhi gjatë një konrolli rutinë të automjeteve. Oficerët e policisë gjetën një makinë private në një zonë të Janinës, të drejtuar nga shqiptari, e cila mbante targa të huaja, dhe u përpoqën ta kontrollonin atë. Shoferi, për t’i shpëtuar kontrollit të policisë, nuk iu bind sinjaleve të policisë dhe tentoi të largohej, ndërkohë që kryente manovra të rrezikshme, duke drejtuar disa herë në sensin e kundërt të trafikut. Pas ndjekjes, automjeti u bllokua dhe drejtuesi u arrestua.
Gjatë kontrollit, u gjetën 28 pako kanabisi, gjithsej 167.2 kilogramë. Automjeti kishte targa të falsifikuara, ndërsa i arrestuari nuk dispononte dokumente të rregullta për qëndrimin në Greqi.
Tani ai pritet të dalë para Prokurorisë së Shkallës së Parë në Janinë për veprime të mëtejshme ligjore./ZËRI