TIRANË-Një grua e cila ka punuar si sanitare në disa nga familjet në Tiranë është akuzuar për vjedhje. Rastet janë denoncuar nga familjet në redaksinë e JOQ, ku thuhet se gruaja ka mashtruar disa familje në Tiranë, duke u punësuar si sanitare dhe më pas duke zëvendësuar sendet e tyre me vlerë me bizhuteri false.
Sipas dëshmive të disa familjeve, gruaja prezantohet me emra dhe të dhëna të ndryshme por duke përdorur të njëjtën skemë në raste të ndryshme. Një prej denoncuesve tregon se gruaja, e prezantuar si “Diana”, 37 vjeçe, nisi punë më 10 korrik 2026. Pas vetëm dy ditësh, familja konstatoi se një byzylyk me diamante ishte zëvendësuar me një tjetër metalik, me pamje identike me origjinalin.
Në një tjetër rast, një familje tregon se gruaja i zëvendësoi një orë Cartier me një kopje dhe mori edhe një unazë të së njëjtës markë. Sipas denoncueses, rasti është referuar në polici por ende asnjë masë nuk është marrë nga policia.
Nga ana tjetër një grua ka rrëfyer se si zonja në fjalë i ka marrë një orë që e kishte marrë dhuratë për lindjen e vajzës dhe se ka bërë kallëzim në Komisariatin nr. 1 që në qershorin e vitit të kaluar, por sërish pa asnjë zgjidhje.
Ndërkohë rasti më i rëndë është ai i një familjeje me një fëmijë të porsalindur. Sipas tyre, gruaja u punësua si sanitare dhe, ditën e dytë të punës, zëvendësoi një pjesë të florinjve me bizhuteri false. Familjarët e kuptuan vjedhjen pasi u kthyen më herët në banesë dhe njoftuan policinë. Sipas dëshmisë së tyre, gruaja më pas pranoi se i kishte fshehur sendet e vjedhura në trup dhe i dorëzoi.