Aktualitet

Ndoka ndoqi këmba-këmbës për të vrarë Durim Bamin, "bashkimi" me Bejtjan dhe Stafukën dështoi!

Më 2 gusht, 2020, grupit i pritet kontakti nga burgu. Ervis Martinaj informon Arben Ndokën se Emiljano Shullazin e kanë futur në regjimin "41 biss".

k.m.
Ndoka ndoqi këmba-këmbës për të vrarë Durim Bamin,
Arben Ndoka, Durim Bami dhe Ervis Martinaj

TIRANË- Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zbardhur një episod të plotë, ku Arben Ndoka dhe persona të tjerë janë vënë pas për të zhdukur Durim Bamin. Aksioni për vrasjen e tij zgjat gjatë thuajse një muaj dhe SPAK ka zbuluar në çdo moment, çdo lëvizte të armiqëve që udhëtonin nëpër Shqipëri. E gjitha nis më 25 korrik të 2020! Gjin Ndoj (tashmë i vrarë nga grupi i Bajrajve) informon Ndokën për lëvizjen e Durim dhe Valter Bamit. Më konkretisht për një objekt që Bami po ndërton në afërsi të "Vila Aeroport", ndaj edhe shkonte shpesh aty. 

"Kur ikën për Tiranë sa kalon 'Vila Aeroport', hotelin aty është një ndërtesë 5-katëshe e bardhë, do bëhet hotel. Tani ta sjell me foto ndërtesën. Ikën 2-3 herë në javë sigurt, aty mos më shumë me seria 7 blind, nja 4 vetë mbas vetes. Ka vend mrapa sa duash me prit ferra, pemë, kupton?"

Arben Ndoka komunikon me Emiljano Shullazin dhe ky i fundit e informon në lidhje me Durim Bamin, duke u shprehur se ai se del rrallë sepse e ka frikë. Por i tregon gjithashtu se nga ana tjetër, Marklen Haka ka nisur që të afrohet sërish me Bamin.

"Më thonë që del në fshat rrallë, Valter (Valter Bami) ka fillu rri me Maglen (Marklen Hakën). Ti je vetë i kujdesshëm. Fillo shtrëngo prapë Durimin. Mbasi i ndodhi ajo me Marklenin ishin ftohur, por ka 1 muaj janë afru. Po me Durimin! Gjasmë jo, por njësoj është gjera rrin me ta. Po dhe frikë të kanë, kështu që shfrytëzojë këtë situatë. Ka bo lokalin aty lart në fshat Duri. Po, se di ku e ka, po më kanë thënë. Po besoj do jetë mirë për me gjujt nga larg."

Me të marrë sinjalin, Arben Ndoka komunikon me Elvis Ndrecën dhe së bashku planifikojnë që të infiltrojnë një femër Durim Bamit, që të mësojnë lëvizjet e tij. 

"A iku ajo goca?",-i shkruan Ndoka, ndërsa Ndreca (kushëriri i deputetit të Partisë Socialiste, Eduart Ndreca) i përgjigjet: Po, këto 3 ditë futet në aksion ajo me na tregu çdo lëvizje të tyren.

Më 2 gusht, 2020, grupit i pritet kontakti nga burgu. Ervis Martinaj informon Arben Ndokën se Emiljano Shullazin e kanë futur në regjimin "41 biss".

"Milin e qitën jashtë loje, s'na maron punë dot ma. Kush ja bëri sipas teje? E çuan tek "bizi", si ke pa lajmet? 1 vit."

Megjithatë plani vazhdon! Më datë 10 të po atij muaji, Arben Ndoka komunikon Astrit Avdylin dhe e instrukton që të marrë peng atë që ka qëllur tek ngjarja e Rrumit (Aleksandër Lahos), në atentatit që iu bë prokurorit Arjan Ndoj. Personi për të cilin flasin është Valter Bami. 

Astrit Avdyli i shkruan: Shiko, përgatit atë që ka gjujt tek Rrumi ta merrni peng, kjo na intereson. Aldo (Aldo Avdyli), osht gati me Tërmetin (Arben Mërkuri), se kam fol unë me ta. Kamerat shumë kujdes, çdo rrugë, shoferi gjithmonë i maskuar ose të rrinë të tre mbrapa. Maskën në makinë me pasagjerë. Shoferi duhet të jetë i maskuar kaq. Do vijë Aldo nesër andej nga ty. I thashë që të rrijë Aldo tek ty, jo në Durrës. Mos e lë me ik në Durrës mo kaq. Se po na fusin nëpër intriga, kupton? Po bëhena viktim kot pa patur punë, pa patur miq e shok, kupton? Mos të largohet nga Lezha kaq! I ke gati, veç jepi drejtim, fort, kaq! I kam përgatit, dëgjohemi nesër. Merr peng atë, organizoji, i ke kamikaz.

Të nesërmen, Aldo Avdyli shkon në Lezhë, ku e pret Samuel Ndoka. Ish-deputeti flet më pas me Ervis Martinaj dhe i tregon se për vrasjen e Durim Bamit ka pajtuar edhe Gentjan Bejtjan (tashmë edhe ky i vrarë pak javë më parë në oborrin e banesës së tij në Larushkë).

"Si Gentjan Bejtja, si Naim Stafuka, kanë mllef dhe kjo është e rëndësishme."

Ndoka i kërkon një makinë dhe këtu Martinaj zbulon një skenarë të parë, njerëzit e tij kanë vjedhur një makinë, por duhet të presin që të përdorin, të paktën derisa të fshihen kamerat e sigurisë nëpër qytet. 

"Kam edhe Audi, por presim ca ditë për atë. Sa të fshihen ca kamera të qytetit ku është marrë, kamerat e Bashkisë."

Më 17 gusht, Arbën Mërkuri, edhe ky i vrarë, i tregon Arben Ndokës së Durim Bami ka shkuar në Ksamil. Këtu nis aksioni! .

Arben Ndoka: Mgjes, a ke mbërri? Ai është në Ksmil në plazh!

Arben Mërkuri: Po që në 8 të mëngjesit, do ta prësim në kthim, se në Ksamil bëjmë punë, por nuk dalim dot. 

Me të marrë sinjalin, Samuel Ndoka dhe Aldo Avdyli përgatiten për pritën. Edhe Martinaj vihet në dijeni dhe mënjeherë shfaqet i gatëshëm që të ndihmojë.

"Me cilin është k**va, pa kto çerrat?? A dihet adresa saktë? Ti nis me motor 2 çuna? Të jap unë Audi, është supër makinë, maks 270 në orë ecën."

Grupi u nis për në Ksamil, ndërsa Gentjan Bejtja informon Ndokën se Durim Bami është tek "Hotel King" në Sarandë. Genti i shkruan sërish Ndokës dhe e informon për takimin që ka pasur me Bamin, që madje e kishte përshëndetur dhe i kishte dhënë edhe para djalit të tij. 

"Genti jam, e mora telin. Tu hor dreke te (i dërgon foto te restorant King). Po ti a nise njeri? Atë targën e atij golfit mos e lë pas dore. Atje, a shkoji njeri apo flejnë gjumë? Deri nga ora 2 ka qenë duke ngrënë dreke.  Fola deri qëparë. Atje ishte, i kishte dhënë çunit tim 200 euro për qejf gjoja. Po i mori peshqirët tha mos ndrroj vend. Do rri i kishte thon ca ditë dje kishte shku. Nuk shikohen makinat se hoteli është me garazh dhe nuk mund ta ruaj më se ai nuk ha bar. Aty ka qenë, do ketë qenë në gjumë. Duhet me ndjet gati se ndoshta nuk del natën, por nesër e ke në shezllon, po ishalla s'po na ik fare."

Por asgjë nuk kryhet! Gentian Bejtja insiston që Arbeni t'ju thotë "shijakësve" (Arben Mërkuri dhe Aldo Avdyli) që ta vrasin aty dhe se nuk duhet humbur rasti.

"Gjej rob aty ta vrasin. Mos dëgjo barcaletat e atij që thoshte e mbaroj në Durrës. Se në Durrës e mbarojnë të gjithë. Gjej rob, ta bëjë aty (ta vrasë aty). A e kishin pa sonte? Po është turp më përzotin. S'do e kesh më atë shans. Gjynah mos me mbaru punë. Futja qaty s'ka as armë me vete, asgjo. Gjuni robqirit. Sot të hy në punë ty. Ti sot ke nevojë për vepra se boll je ngop me fjalë. Tu hor robt dreka e darka kot. Boju pak presion e du te mbarum thuj sdu llafe mo nga asnjë du punën e kryme. Se ty të majn var kot dun me të hor lekë pa bo asnjë punë. Thuj Visit të çojë një të vetin. Po ta krynin pra! Asnjë si do lekët e tij, të gjithë e duan të vdekur atë legen. Ai do gjoja me me taku dhe mu i kishte thonë kunatit. Jena prish kot, na kanë ngatrru të tjerët, keqkuptime. Ai do shkri me acid. S'ka rob më të pabesë. Mos u tremni nga shteti po maro punë! Gjej nai rob ta palosi. Ai ka ndejt, gjasme do shkoj unë nesër andej, me u ul kunati në kafe me të. Tu i dhon lek kalamojve t'mi. Ai qe tu me vra me gjith cun kur mplasi makina. Gjoja e do fort. Atij edhe vorrin do t'ja djeg, as brenda s'do e lej rehat. A s'ke asi shok të mirë polic, ta gjë kollaj për një minutë. Duhet me lëviz sonte ti e nesër. Me i lujt gurët."

Fjalët e Bejtjas kishin ndikimin e tyre tek Ndoka. Mblidhen për të shkuar në hotelin ku fshihej Durim Bami, por një nga personat që kanë çuar Jozi Kraja, as nuk e njeh shënjestrën. 

"Vetëm një foto kemi, nuk jena të qartë! Se kto pushuesit shumica me mjekërr janë. Ai që po vjen a është i qartë, a e njeh mirë", përgjigjen ia jep Ndoka, duke i dhënë një zgjidhje praktike: Futu në Google dhe në Youtube, ke fot të atij plot. Puna e parë që duhet ma ba është me pa foton. 

Por në momentin që edhe pjesa tjetër e grupit shkon në Ksamil, Bami ikën, edhe Ndoka i jep lajm që të kthehen edhe ata pas Bamit dhe që ta godasin në Rrogozhinë. Por fillmisht donin që të interesoheshin nëse kishin ndonjë person në mjet, pasi nuk donin që të ekzekutonin të pafajshëm. Si përfundim, atentati dështon!

Në orën 22.53, Ervis Martinaj e pyet se çfarë u bë, Arben Ndoka i tregon dështimin, ndërsa "Visi" e ngushëllon: Ka lokal Duri në Verjon, shkojmë aty ti bluajmë, e marr vesh kur janë aty nga Gent Koçi. Kam fut një shoqen time.

Pasi tentativa për vrasjen ka dështuar! Samuel Ndoka me porosi të xhaxhait të tij, Arben Ndoka mban kontakte me Gentian Bejtjan dhe Naim Stafukën, të cilët i kanë treguar vendin që frekuenton Bami.

"Do vij me Naimin (Naim Stafuka) vllain e Verit (Enver Stafuka) të flasim seriozisht. A të vijë se duam me mbaru punë, jo me u marrë me llafe se rrezikojmë po e zgjatëm këtë punë,"-i shkruan Bejtja. Arben Noka flet edhe me Behar Brajoviq, ky i fundit ka kontakt me Durim Bamin. Bashkë planifikojnë vrasjen nëse Bami shkon në Shkodër.

"Ok, Super. Nëse vjen nësër është i vdekur. Duri dhe Marigleni thojn dun me ardh me me taku, ke gati nëse vijn. Se ty të dojnë të vdekur dhe unë i thashë që nuk kam muhabet me ta."

Por plani ndryshon, Haka dhe Bami kthehen nga rruga dhe Brajoviq lajmëron Ndokën: O shok, nuk janë duke ardhur por më më nisën lekët!  

Siç edhe koha e tregoi, asnjë plan për vrasjen e Bamit nuk u finalizua, madje ai sot është i lirë dhe mendohet se po fshihet në Dubai, larg problemeve që ka në Shqipëri. Ndërsa Naim Stafuka është në burg, Bejtja nuk e pati të njëjtin fat dhe u ekzekutua në oborrin e shtëpisë së tij në Larushkë. Dyshohet se vrasësi është Bami, por në duart e tij nuk ka ende pranga./ZËRI

Poll

MOS HUMB