TIRANË- Emisioni investigativ “Fiks Fare” pritet ta nisë sezonin e ri televiziv me ndryshime të rëndësishme në drejtim dhe në përbërjen e stafit.
Sipas raportimit të Vox News, drejtuesi i “Fiks Fare”, Filip Çakuli, pritet të largohet nga drejtimi i emisionit pas rreth 25 vitesh. Bashkë me të, nga programi pritet të largohen edhe moderatorët Julian Deda dhe Xhemi Shehu.
Ndryshimet nuk prekin vetëm drejtimin e emisionit, por edhe strukturën gazetareske. Sipas Vox News, kryeredaktorja aktuale, Denisa Haxhiaj, do të largohet nga detyra, ndërsa në vend të saj pritet të emërohet gazetarja Antela Lika.
Antela Lika është pjesë e “Fiks Fare” prej 14 vitesh dhe gjatë kësaj periudhe ka qenë autore e disa prej investigimeve dhe denoncimeve të rëndësishme të emisionit.
Kalimi i drejtimit gazetaresk te Lika pritet t’i japë programit një impuls të ri, ndërsa “Fiks Fare” do të vijojë të ruajë fokusin tek gazetaria investigative dhe denoncimi i problematikave që prekin qytetarët.
Ende nuk është bërë e ditur se cilët do të jenë dy moderatorët e rinj të programit. Sipas burimeve të cituara nga Vox News, përzgjedhja pritet të bëhet kryesisht brenda stafit të Top Channel.
Ndërkohë, mbetet e paqartë edhe se çfarë pozicioni do të ketë Filip Çakuli në Top Channel pas largimit nga drejtimi i “Fiks Fare”.
“Fiks Fare” është prej 25 vitesh një prej emisioneve më të njohura investigative në Shqipëri dhe ndryshimet e pritshme shënojnë një tjetër kapitull për formatin.Vox News