DUBAI- Jetmir Pepaj, i njohur ndryshe si Mir Pepa dhe një nga personat më të kërkuar në Shqipëri, raportohet se është arrestuar në Dubai. Sipas burimeve, arrestimi i tij është kryer në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe tashmë kanë nisur procedurat për ekstradimin drejt Shqipërisë, i cili mund të realizohet në ditët në vijim.
Deri më tani nuk ka detaje zyrtare mbi mënyrën se si është kryer arrestimi apo vendndodhjen e saktë në Dubai, ndërsa informacione të tjera pritet të bëhen me dije në vijim.
Arrestimi i Mirit vjen vetëm pak ditë pas ekstradimit nga Dubai të 6 shtetasve të tjerë shqiptarë, mes tyre Aleks Pepaj, vëllai i tij, si dhe Ilir Lazri, të cilët dyshohet se kanë lidhje me të njëjtin grup kriminal.
Mes pesë të kapurve për ekstradim është Aleks Pepaj, vëllai i të shumëkërkuarit Jetmir Pepaj, të cilët trafikuan nga Amerika Latine drejt Evropës, 7.5 ton kokainë. Lidhur me rrjetin e trafikut të drogës, SPAK më 15 prill 2026, firmosi 11 urdhër-arreste, ku më herët në pranga është vendosur edhe vëllai tjetër i tyre, Lulzim Pepaj 52 vjeç.
Aleks Pepaj ka patur rolin e operatorit të mbledhjes së parave në rrjet. Në komunikimet në SKY ECC, të zbërthyera nga SPAK, Aleksi ka deklaruar se disponon 30 milionë euro cash nga “puna”, plus 15 milionë dirhamë në Dubai, rreth 3.7 milionë euro shtesë.
Mir Pepaj është një emër i njohur për blutë, pasi në janar 2025 u shpall në kërkim pasi qëlloi me armë në një koncert festiv. Po ashtu në gusht të viti 2024 u bë protagonist pasi Mariela Berisha, nëna e djalit të tij, dhunoi të dashurën e tij, Klea Prenga, në bashkëpunim me të motrën, Antonela Berisha./ZËRI
