DURRËS- Denis Trebeshina ka përfunduar në pranga pasi është kapur duke qarkulluar me 116 mijë euro në makinë. Gjatë mbrëmjes së djeshme, në kuadër të operacionit "Sundimi i ligjit", patrulla kishte marrë informacine se drejt tyre po vinte një person me shuma të mëdha parash në mjet. Kështu në lagjen nr.17 të Durrësit u pikas Trebeshina, i cili u ndalua për kontroll. Në mjet iu gjetën 116 mijë euro, para që mendohet se vijnë nga krimi. Megjithatë deri më tani ende nuk dihet sesi i ka justifikuar i riu para hetuesëve.
NJOFTIMI I PLOTË:
Durrës/Vijon operacioni "Sundimi i ligjit", me kontrolle të shtuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në cilëndo fushë që ato shfaqen. Si rezultat i kontrolleve, gjenden në një automjet dhe sekuestrohen 116 685 euro të dyshuara të përfituara në mënyrë të kundërligjshme. Vihet në pranga 30-vjeçari që i posedonte.
Në vijim të kontrolleve të kryera në zbatim të planit operacional "Sundimi i ligjit", me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se një shtetas posedonte një shumë të madhe parash, kanë organizuar punën dhe kanë ushtruar kontroll në automjetin e tij.
Në lagjen nr. 17, Durrës, gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin D. T., shërbimet e Policisë gjetën 116 685 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në vijim të veprimeve për këtë rast u arrestua shtetasi D. T., 30 vjeç, banues në lagjen nr. 2, Durrës. Vijojnë veprimet hetimore për të vërtetuar burimin e të ardhurave të këtij shtetasi. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit Durrës, për veprime të mëtejshme./ZËRI