Aktualitet

Në rrugët e vendit u shtuan 66.5 mijë makina për 8-mujorin, dominojnë mjetet nga Kina dhe Koreja e Jugut

Për 8-mujorin, rreth 17.5 mijë mjete, ose rreth 26% e regjistrimeve për herë të parë, e kishin origjinën nga Koreja e Jugut.

Redaksia Zëri
Në rrugët e vendit u shtuan 66.5 mijë makina për 8-mujorin,
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Numri i mjeteve që qarkullojnë në vend sa vjen e po shtohet, ndonëse ritmet e rritjes po ngadalësohen në krahasim me dy vitet e mëparshme, kur u shënua një ecuri e fortë e nxitur nga orientimi i importeve drejt vendeve aziatike.

Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor, për periudhën janar-gusht kanë hyrë në qarkullim për herë të parë 66.5 mijë automjete, pothuajse në të njëjtin nivele me 8-mujorin e një viti më parë.

Vetëm në gusht u regjistruan gati 8.1 mijë mjete. Në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë, në vend u regjistruan për herë të parë 10% më pak mjete.

Importet e mjeteve u ngadalësuan pas marsit, si rrjedhojë e vështirësive me transportin që u shfaqën pas konfliktit në ngushticën e Hormuzit, që rriti koston e automjeteve që vijnë nga Azia, ndonëse ato nuk kalonin direkt nga kjo ngushticë.

Koreja e Jugut dhe Kina dominojnë

Koreja e Jugut dhe Kina vijojnë të jenë tregjet kryesore nga ku shqiptarët po preferojnë të marrin automjetet dy vitet e fundit.

Për 8-mujorin, rreth 17.5 mijë mjete, ose rreth 26% e regjistrimeve për herë të parë, e kishin origjinën nga Koreja e Jugut. Tre vitet e fundit, Koreja e Jugut po dominon, për shkak të çmimeve më të lira të blerjes nga shteti i largët.

Kina po rritet me shpejtësi, si rrjedhojë e interesi për makina elektrike. Rreth 16% e mjeteve që u regjistruan për herë të parë në janar-gusht, ose 10.6 mijë mjete, kishin origjinën nga Kina.

Gjermania dhe Italia, dy shtetet e dikurshme dominuese, kanë kaluar në vend të tretë dhe të katërt, përkatësisht me 7.9 dhe 7.7 mijë mjete për 8 mujorin.

10.6% e mjeteve të importuara janë elektrike, rritet BYD

Pas një rritjeje rekord në mars dhe prill, duket se ka rënë disi interesi për mjetet elektrike. Në gusht, u regjistruan për herë të parë 681 të tilla, nga 682 në korrik niveli më i ulët i këtij viti.

Gjithsesi, për 8-mujorin janë regjistruar gjithsej 7,087 mjete elektrike, ose 2.5 herë më shumë se e njëjta periudhë e 2025-s.

Mjetet elektrike përbënin 10.6% të regjistrimeve të mjeteve për herë të parë për periudhën janar-gusht.

Sipas llojit të markave, Volkswagen dhe Mercedes-Benz vijojnë të mbeten dy markat historikisht më të preferuara nga blerësit shqiptarë, me përkatësisht 16.5% dhe 14.7% të regjistrimeve në periudhën janar-gusht 2026.

Ndërkohë, spikat ngjitja e shpejtë e BYD, e cila ka arritur në 7.0% të totalit, duke reflektuar interesin në rritje për makinat elektrike dhe forcimin e pranisë së prodhuesve kinezë në treg.

Në total, numri i mjeteve që qarkullojnë në vend arriti në rreth 1.1 milionë në fund të gushtit./Monitor

Poll

MOS HUMB