Aktualitet

Në top listën e më të kërkuarve, si u arrestua në Turqi Ibrahim Lici, shënjestër e Bajrave

Ibrahim Lici fshihej në Turqi, ndërsa njihet për armiqësitë me fisin Bajri në Shkodër. Këta të fundit kanë dalë në përgjime duke thurur plane për vrasjen e tij

E.K
Në top listën e më të kërkuarve, si u arrestua në
Ibrahim Lici

TURQI- Ibrahim Lici, një prej personave më të kërkuar nga policia shqiptare është vënë në prangat e policisë në Turqi, shtet ku dyshohet se fshihej prje kohësh. Burime bëjnë me dije se për lokalizimin e tij ka pasur bashkëpunim mes autoriteteve shqiptare dhe atyre turke.

Një person i afërt i familjes Lici është mbajtur nën vëzhgim pasi kishte fluturuar nga Shqipëria për ta takuar, dhe më pas ndjekja e tij ka çuar në arrestimin e të riut, që vazhdimisht i ka mohuar akuzat për vrasje. Ai ishte shpallur në këkrim për vrasjen e Endri Mustafës, ndodhur kjo në vitin 2021. Megjithatë familjarët e tij kanë deklaruar edhe përmes intervistave në media, se djali i tyre ka qenë i pafajshëm. Për Licin ka pasur aksione dhe më herët për kapjen e tij në Turqi, pasi i ishte zbuluar baza ku ai vepronte.

Në vitin 2022 dy agjentë të njësisë FAST, ndoqën një vajzë e cila dyshohej se ishte e dashur e Licit. Agjentët e FAST në datën 19 tetor 2022 së bashku me policinë turke, bënë një kontroll në banesën ku ajo qëndronte në Turqi, por, Lici nuk është gjetur aty.

Asokohe në media u aludua se ishte bërë e mundur arrestimi i Licit, por vetë ky i fundit do t’i përgënjeshtronte lajmet duke postuar një foto ku shfaqej në krah të të vëllait Muhamet Lici me sfond urën e famshme të “Bosforit”.

Lici njihej si kundërshtar i fisit Bajri në Shkodër, ndërsa këta të fundit në dosjen 'Metamorfoza' thurnin plane për vrasjen e tij. 

Si u ekzekutua Endri Mustafa?

Endri Mustafa u ekzekutua në mënyrë makabre më 15 maj të vitit 2021. Mustafa, baba i tre fëmijëve, u gjet në afërsi të bregut të liqenit të Shkodrës, në një vend i njohur si zona e Livadheve. Ai ishte vrarë me 6 plumba, njëri prej të cilëve në pjesën e gojës, dy të tjerë në kokë dhe 3 në gjoks. Nga këqyrja e trupit dyshohet se fillimisht ai është dhunuar dhe më pas është qëlluar me armë zjarri. Trupi i pajetë u gjet tri ditë pas denoncimit të zhdukjes në mënyrë të mistershme të 31-vjeçarit.

Ndërsa organet e hetimit akuzojnë si autor të vrasjes Ibrahim Licin, bashkëshortja e viktimës tha një vit më parë se me këtë familje kishin marrëdhënie të mira dhe se nuk ishin ata që e kishin kryer vrasjen. Prapa hekurave për ngjarjen është Ergys Malja, i cili dyshohet se e çoi viktimën në vendin e ngjarjes.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB