TIRANË- Protesta e studentëve kundër qeverisë së Edi Ramës do të vijojë edhe të enjten, kur tubimi i radhës është njoftuar të mbahet në orën 09:00 para Parlamentit. Pas qëndrimit për disa orë para Kryeministrisë protestuesit u zhvendosën këtë të mërkurë drejt sheshit'Skënderbej' duke paralajmëruar vijimin e lëvizjes së tyre.
Tubimi i sotëm u zhvillua pa incidente të rënda, ndonëse pati momente tensioni dhe përplasje të vogla. Studentëve iu bashkuan edhe pedagogë, të cilët shprehën mbështetjen për kërkesat e tyre në një protestë që vijon të mbajë në qendër kundërshtimin ndaj qeverisë.
Ndërkohë, thirrja e kryeministrit Edi Rama për dialog nuk është pranuar nga studentët. Pedagogët kanë bërë të ditur se nuk mund të zhvillojnë bisedime me kreun e qeverisë nëse studentët nuk janë të gatshëm të ulen në tryezën e dialogut./ZËRI