TIRANË- OSBE ka kërkuar nga autoritetet shqiptare të hetojnë rastet e raportuara të dhunës ndaj gazetarëve gjatë protestave, si dhe pretendimet për përdorim të tepruar ose joproporcional të forcës nga policia.
Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias ambasadori Jan Braathu ka shprehur shqetësimin për incidentet e raportuara ndaj gazetarëve dhe pengesat që ata kanë hasur gjatë pasqyrimit të tubimeve.
Braathu thekson se mbrojtja e gazetarëve është e domosdoshme për garantimin e lirisë së medias dhe të drejtës së qytetarëve për informim. Ai u bën thirrje autoriteteve që të hetojnë me shpejtësi dhe efektivitet çdo incident të denoncuar.
OSBE kërkon gjithashtu zbatimin e udhëzimeve të Policisë së Shtetit për sigurinë e gazetarëve me qëllim parandalimin e incidenteve të tjera dhe garantimin e raportimit të lirë gjatë protestave.
OSBE - Përfaqësuesi për Lirinë e Medias
"Raportimet e vazhdueshme për dhunë ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias, si dhe për pengimin e tyre gjatë raportimit të protestave që po zhvillohen në Shqipëri, janë shqetësuese.
Liria e medias dhe e drejta e publikut për informim janë thelbësore për funksionimin e një shoqërie demokratike. Garantimi i sigurisë së gazetarëve është i domosdoshëm për mbrojtjen e këtyre parimeve, edhe gjatë demonstratave publike, ku gazetarët duhet të jenë në gjendje të raportojnë lirisht, në mënyrë të sigurt dhe pa ndërhyrje të pajustifikuara.
Këto parime pasqyrohen në Vendimin nr. 3/18 të Këshillit të Ministrave të OSBE-së për Sigurinë e Gazetarëve, i cili riafirmon angazhimet e shteteve pjesëmarrëse për mbrojtjen e gazetarëve dhe garantimin e llogaridhënies për sulmet ndaj tyre. U bëj thirrje autoriteteve shqiptare që të hetojnë me shpejtësi dhe efektivitet të gjitha incidentet e raportuara, përfshirë pretendimet për përdorim të tepruar ose joproporcional të forcës nga policia.
Po aq e rëndësishme është parandalimi i incidenteve të tjera. Për këtë qëllim, inkurajoj autoritetet ligjzbatuese që të zbatojnë plotësisht udhëzimet ekzistuese të Policisë së Shtetit për Sigurinë e Gazetarëve, duke garantuar që punonjësit e policisë të lehtësojnë raportimin e sigurt dhe pa pengesa gjatë tubimeve publike".
./ZËRI