
TIRANË-Prokuroria e Posaçme ka zbardhur katër ngjarje kriminale, vrasje të kryera në kohë të ndryshme dhe që lidhen me perplasjet e grupeve kriminale me bazë qytetin e Elbasanit, specifikisht të kryera me porosi të vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja. Vrasja e parë ka qenë ajo e cila njohet si Masakra e Bradasheshit në vitin 2018, ku të vrarë mbetën tre persona Endrit Alibej, Arben Dylgjeri, shtetasi turk Erdal Duranay. Ngjarja e dytë kriminale ishte ajo kundët dy vëllezërve Baho, ku viktimë mbeti Klevin Baho dhe u plagos Aldo (Aleksandër) Baho. Nuk do të vononte atentati i tretë, ku viktimë mbeti Andi Zylyfi, i cili kishte lidhje familjare me të ndjerin Endrit Alibej. Ngjarja e katërt kriminale ndodhi një vit më vonë në 2020, ku viktimë mbeti Klevis Kapllani.
Pjesë nga njoftimi i SPAK:
Fakti penal “Vrasja në rrethana cilësuese” në dëm të viktimave Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe shtetasit turk Erdal Duranay, ngjarje e ndodhur më datë 29.12.2018, në orën 21:00, në vendin e quajtur Bradashesh, aksi rrugor Tiranë – Elbasan, në afërsi të restorant Dervishaj;
Fakti penal “Vrasja në rrethana cilësuese e shtetasit Klevin Baho dhe plagosja e vëllait të tij shtetasit Aldo (Aleksandër) Baho”, ngjarje e ndodhur më datë 07.2019, ora 00:30, në fshtin Broshkë, Elbasan;
Fakti penal “Vrasja në rrethana cilësuese në dëm të viktimave Andi Zylyfi dhe plagosja e shtetasit Ardit Uruçi”, ngjarje e ndodhur më datë 13.12.2019, në fshatin Përparim, Peqin;
Fakti penal “vrasja e shtetasit Klevis Kapllani”, ngjarje e ndodhur më datë 15.09.2020, në fshatin Sinaballaj, Rrogozhinë;
Masakra e Bradasheshit
Tre ditë para ndryshimit të viteve në dhjetor të 2018-ës, 3 persona, mes tyre edhe një shtetas turk, u vranë me breshëri kallashnikovi brenda makinës tip “Range Rover”. Dy shqiptarët e vrarë ishin Endrit Alibej 34 vjeç; Arben Dylgjeri, 56 vjeç, të dy kushërinj me njëri-tjetrin dhe Erdal Durunay, 51 vjeç. Shqiptarët sapo ishin kthyer për të kaluar festat e fundvitit me familjarët e tyre, kur në afërsi të Kombinatit Metalurgjik një makinë u ka zënë pritë dhe i ka qëlluar pa mëshirë. Famtmirësisht plumbat kanë kursyer makinat para ‘Range-t’ me targa rumune, ku po udhëtonin gratë e fëmijët e të vrarëve. Në 3 makinat ndodheshin 5 gra dhe 3 fëmijë.
Atentati ndaj vëllezërve Baho, viktimë Klevin Baho
Sipas raportimeve, autori i është afruar dy vëllezërve: Ti je Kevi...?,"-i ka thënë asokohe 22-vjeçarit. Por ky i fundit i është përgjigjur shkurt: Nuk jam unë…! Është larguar dhe në atë moment i ka telefonuar vëllait të tij, i cili ka mbërritur menjëherë me automjetin tip “Audi” me targë AA 33 AZ. Të dy kanë hipur në makinë dhe janë larguar në drejtim të banesës së tyre që ndodhet më shumë se dy kilometra larg nga rruga nacionale.
Sapo dy vëllezërit kanë marrë rrugën drejt shtëpisë, pas tyre është vënë një tjetër automjet, një Benz, i cili ka nisur të qëllojë me armë teksa makinat ishin në ecje. Me plumba në kokë dhe trup, Klevi Baho ka mundur të dalë nga makina, ndërsa vëllai i tij ka mbetur aty dhe ndihmën e parë ja kanë dhënë familjarët që dolën menjëherë pasi dëgjuan të shtënat. E kanë dërguar me urgjencë pranë spitalit kirurgjik në Elbasan nga ku raportohet se ka marrë tre plumba në shpatull, ndërsa prej afro 40 minutash nuk kanë mundur të gjejnë djalin e vogël të tyre.
Vrasja e Andi Zylyfit 13 dhjetor 2019
Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Përparim në rrugën nacionale Elbasan-Peqin. Edhe pse 26-vjeçarit u tentua t’i jepej ndihma e shpejtë, ai mbërriti pa shenja jete në spital. Ndërkohë, nga të shtënat me breshëri, mbeti i plagosur rëndë edhe Ardit Uruçi, 23- vjeç, banues në fshatin Përparim.
Atentati ndaj dy të rinjve u bë teksa ishin së bashku në një makinë tip ‘Golf’, ndërsa dyshohet për larje hesapesh mes bandash. Fatos Gosa, ka qenë duke luajtur domino me babanë e Andi Zylyfit, kur e ka parë këtë të fundit teksa lëvizte dhe u ka treguar autorëve vendndodhjen e saktë të tij, ku më pas edhe u ekzekutua. Pas atentatit, autorët u larguan në drejtim të pa ditur. 26-vjeçari Andi Zylyfi, i cili humbi jetën nga plagët e marra, ka lidhje familjare me dy personat që kanë mbetur të vrarë në atentatin e Bradasheshit të Elbasanit.
Konkretisht, Andi Zylyfi ishte, djali i hallës së Endri Alibej, ku ky i fundit u ekzekutua për pazare droge, Andi Zylyfi kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga emigrimi kur u vra. Të akuzuar për këtë vrasje janë Talo Çela (koka e grupit), Nuredin Dumani, Klevis Alla, Altin Ndoci, Besian Xhixha dhe Enver Diva.
Vrasja e Klevis Kapllanit
Klevis Kapllani u ekzekutua me breshëri plumbash brenda mjetit “Fiat Punto”, vetëm pak metra larg banesës së tij në fshatin Sinaballaj të Rrogozhinës. Ai u gjet i pajetë rreth orës 06:00 të mëngjesit të 15 shtatorit të vitit 2020 nga një banor i zonës, i cili kishte dalë për të grumbulluar qumështin.
Vrasja e Klevis Kapllanit në muajin Shtator 2020 në Rrogozhinë, është kryer në momentin teksa 33-vjeçari po fliste në aplikacionin “SKY” me të kërkuarin e asaj kohe, Nuredin Dumani. Pikërisht në momentin kur është vrarë, Kapllani po shkonte deri në shtëpi, pasi Dumani e kishte urdhëruar t'i mbante një makinë në banesë, makinë të cilën po e çonin në Sinaballaj të Rrogozhinës, Enver Diva dhe Besian Xhixha. Makina do përdorej për të goditur në atentat Dine Çamin dhe Bujar Çelën, vëllain e Talo Çelës. Por me sa duket, teksa Dumani fliste në “Sky” me mikun e tij Klevis Kapllani për ti mbajtur makinën në oborrin e shtëpisë, nga ana tjetër grupi rival po atë ditë kishte vendosur të vriste Klevis Kapllanin./ZËRI