
TIRANË- Rrëzohet pjesërisht ligji për tatimin e profesionistëve të lirë. Vendimi është dhënë sot në orën 18.00 nga vetë kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj. Në leximin e vendimit para mediave të pranishme, ajo u shpreh se gjyqtarët kishin vendosur unanimisht rrëzimin e nenit 69, pika 10 që diskriminonte profesionistët e lirë nga tatimi prej 15%. Kjo pikë, për Gjykatën Kushtetuese duhet ndryshuar pasi cënon lirinë e veprimtarisë ekonomike. Sipas Gjykatës Kushtetuese, kjo ishte një masë taksimi është joproporcionale dhe se këto kategori do duhet të taksohen në 2029, si të gjithë bizneset e tjera të vogla.
“Tatimi 15% ndaj kësaj kategorie filloi të zbatohej menjëherë pa u dhënë kohë të përshtateshin. Norma 15% nuk e kalon testin e proporcionalitetit pasi vetë ligjvënësi e ka përjashtuar për kategoritë e tjera,”- tha Zaçaj.
Por me këtë vendim, Gjykata Kushtetuese shfuqizon tatimin vetëm për ata që kanë të ardhura deri në 14 milionë lekë nuk do paguajnë tatim, ndërsa ata që fitojnë mbi 14 milionë lekë do të tatohen 23%.
NJOFTIMI I PLOTË I GJK:
Lidhur me themelin e pretendimeve të kërkuesve, Gjykata pa vënë në dyshim hapësirën e gjerë të vlerësimit të ligjvënësit dhe diskrecionin e tij në fushën fiskale, vlerësoi se neni 69, pika 1, shkronja “dh”, fjalia e dytë dhe e tretë e ligjit nr. 29/2023 dhe neni 4 i VKM-së nr. 753/2023, cenojnë lirinë e veprimtarisë ekonomike për shkak të mosrespektimit të parimit të sigurisë juridike (në kuptim të pritshmërive të ligjshme dhe qartësisë së normës) dhe parimit të proporcionalitetit. Gjykata arriti ne kete perfundim duke mbajtur ne konsiderate skemën tatimore dhe ne vecanti faktin se detyrimi tatimor prej 15 % ndaj kesaj kategorie tatimpaguesish filloi të zbatohej menjëherë pa u lënë kohë të mjaftueshme atyre të përshtateshin me skemën e re tatimore. Sa me sipër, Gjykata mbajti në vëmendje se ndonëse ligji ka hyrë në datën 18 Maj 2023 dhe i shtrinte efektet e tij nga data 1 Janar 2024, lista analitike e shërbimeve hyri në fuqi në datën 23 Dhjetor 2023 sipas nenit 4 të VKM-së nr. 753/2023 pra vetëm disa ditë para fillimit të efekteve të ligjit.
Gjithashtu, Gjykata vlerësoi se norma e tatimit prej 15 % e parë së bashku me kohën e zbatimit të saj nuk e kalon testin e proporcionalitetit, pasi nuk rezulton të jetë masa më e përshtatshme, në kushtet kur ka masa të tjera alternative, të cilat vetë ligjvënësi i ka evidentuar të zbatohen për kategoritë e tjera të tatimpaguesve mbi të ardhurat. Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, për arsyet e mësipërme, Gjykata vendosi me shumicë votash: Pranimin e pjesshëm të kërkesës dhe shfuqizimin e nenit 69, pika, shkronja “dh”, fjalia e dytë dhe e tretë e ligjit nr. 29/2023 dhe të nenit 4 të VKM-së nr. 753/2023. Rrëzimin e kërkimeve për shfuqizimin e dispozitave të tjera të ligjit". Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese."
Nga 1 janari profesionistët e lirë do të tatoheshin 15% mbi të ardhurat e tyre. Sipas ligjit, që tashmë do rishikuar, shpenzimet për ata që nuk kishin mbajtur asnjë regjistër gjatë vitit të kaluar, do të llogariteshin duke hequr një referencë 30% mbi fitimin e gjeneruar. Padia e parë në Gjykatën Kushtetuese u depozitua në shkurt 2024 nga 37 deputetë opozitës. Më pas, kësaj padie iu bashkangjitën edhe profesionistët e lirë dhe shoqëria civile./ZËRI