Aktualitet

Nga Vlora në Fushë-Krujë/ Atentatet mafioze që kanë tronditur vendin në 3 muaj, asnjë i ZBARDHUR

Viti 2024 ka nisur me 3 atentate mafioze, që për nga mënyra e ekzekutimit dyshohet të jenë kryer nga vrasës me pagesë. E përbashkëta tjetër e tyre është se mbeten ende të pazbardhura

E.K
Nga Vlora në Fushë-Krujë/ Atentatet mafioze që kanë
Gentjan Bejtja, Sokol Mihana (ekonomisti) dhe Gezim Sinomati

TIRANË- Viti 2024 ka nisur me 3 atentate kriminale, përpos krimeve të tjera, në familje kundër jetës së personit. Në tre atentate të ndryshme, në 3 prej qyteteve më të nxehta sa i takon vatrave të krimit, shënjestër kanë qenë personazhe të njohur, emrat e të cilëve kanë qenë të implikuar në ngjarje të mëparshme kriminale. E përbashkëta e atentatit ndaj Gëzim Sinomatit në Vlorë, Ardjan Gjeloshit në Kurbin, si dhe Gentjan Bejtjes në Fushë Krujë, është se mbeten ende pa autor, pavarësisht hetimeve dhe përpjekjeve të policisë për t’i zbardhur ngjarjet.

Atentati i parë që ndodhi përgjatë këtij viti ishte ai në qytetin e Vlorës, në datën 7 Janar, ku mbeti i vrarë 23-vjeçari Gëzim Sinomati, i cili ishte kthyer në fundvit nga Belgjika, ku ndodhej prej disa vitesh. Ai u ekzekutua me snajper, ndërsa autorët nuk lanë asnjë gjurmë pas, qoftë edhe ndonjë makinë të djegur, siç ndodh rëndom në ngjarje të rënda kriminale. I riu vlonjat, në fakt nuk rezulton ndonjë personazh i njohur i botës së krimit, por babai i tij po. Sokol Sinomati vuante dënimin pas hekurave, kur kundërshtarët e tij me gjasë i vranë djalin e tij të vetëm. Sokol Sinomati kishte qenë pjesë e bandës së Gaxhait në Vlorë, ndërsa ishte hetuar dhe dënuar për disa vrasje të ndodhura në qytetin bregdetar.

Gëzim Sinomati u vra teksa kishte dalë në ballkonin e banesës së tij për të pirë cigare, ndërkohë që nga arma e përdorur, snajper, dhe nga precizioni i goditjes, policia që në krye të herës ka pasur dyshime se qitësit kanë qenë profesionistë. Është folur shumë, nëse ata mund të kenë qenë vrasës të huaj, megjithatë edhe sot kur kanë kaluar më shumë se 2 muaj e gjysmë nga vrasja, emrat nuk janë dhënë ende. Pas vrasjes për disa ditë Vlora u blindua nga forcat e policisë, dhe nga premtimet për t’iu hequr pluhurin dosjeve të vjetra, por siç kanë treguar rëndom këto vitet e fundit, krimi në Shqipëri, godet edhe nën thundrën e policisë. Siç ka ndodhur me persona që kanë qenë të shpallur në kërkim që më shpejt i kanë gjetur kundërshtarët sesa policia.

Atentati i dytë me pasojë vdekjen, që ka tronditur vendin këtë vit, është ai i ndodhur në datën 10 Shkurt, ku persona të veshur si policë, dhe të armatosur rëndë, qëlluan me breshëri arme në drejtim të një biznesi inertesh në pronësi të Ardjan Gjeloshit. Vetë Gjeloshi, ishte fatlum, pasi arriti që të fshihej nga autorët në zyrën, e tij, edhe pse dy plumba e lanë të plagosur. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për ekonomistin 70-vjeçar Selman Mihana, i cili gjeti vdekjen në vendngjarje, duke mos u kursyer nga autorët, edhe pse ai nuk ishte shënjestra kryesore e tyre.

Ngjarja mund të kishte marrë përmasa edhe më tragjike, pasi në momentin e breshërisë së lëshuar nga 3 kallashnikovë, në biznes ishin të pranishëm dhe punonjës të tjerë që merrnin turnin, por fatmirësisht kanë qenë në një rreze më të largët nga ajo e qitjes së armëve. Pas ngjarjes u fol shumë, por jo nga vfetë Gjeloshi, i cili kyçi gojën pas ngjarjes dhe nuk pranoi që të bashkëpunonte me drejtësinë, për konflikte të mundshme që ai kia pasur. Në media u tha se Gjeloshi kishte dijeni për disa ngjarje kriminale të ndodhura në veri të vendit, megjithatë as sot e kësaj dite, nuk janë publikuar të dhëna konkrete, e madje as një imazh i Gjeloshit, që rezulton një biznesmen ‘fantazëm’. Ngjarja mori dhe një ngjyrim politik, kur u tha se kamerat e biznesit të Gjeloshit ishin hequr nga shefi i komisariatit të zonës, por një gjë e tillë, mbeti thjesht një postim në Facebook-un e Sali Berishës, për të cilin nuk komentoi as vetë biznesmeni.

Atentati i tretë, dhe ndoshta më i paralajmëruari, ishte ai i datës 15 Mars, në drejtim të Gentjan Bejtjes. Ish-polici i burgjeve, i cili iu kishte shpëtuar 3 atentateve të mërparshme, këtë herë ishte lënë porosi që të eleminohej me çdo kusht. Për këtë shkaki në drejtim të tij, u qëllua me breshëri kallshnikovi nga tre persona të maskuar, të cilët e ndoqën deri në serën e perimeve, ku ai tentoi të fshihej. Nuk u frikësuan, nga ideja se mund të gjendeshin në një grackë brenda shtëpisë së tij, dhe nuk bënë hapa pas kur panë gruan dhe fëmijën të pranishëm po në oborr. Madje sipas babait të Bejtjes, autorët kërcënuan me armë dhe personat e tjerë. Skema pas ngjarjes dihet, autorët dogjën mjetin e tyre Land Rover, së bashku me armët e krimit, dhe u zhdukën pa gjurmë.

Të paktën në dukje, pasi policia pretendon se ka gjetur makinën e dytë, me të cilën ata janë zhvendosur drejt Tiranës. Për këtë shkak policia arrestoi dy persona, me banim në Milot, njëri pret të cilëve sipas policisë ishte pjesë e grupit të autorëve që vranë Bejtjan dhe tjetri i ndihmoi të largoheshin. Por nëse Bejtja do të ishte një kokë kaq e ‘shtrenjtë’ sa thuhet, ekzekutor i frikshëm siç e përshkruajnë gazetarët, a do i besohej atentati Ilir Beqarajt allias, Brahimit, allias Mançellarit? Ky i fundit, së bashku me pronarin e mjetit Edison Haxhiu, kanë mohuar përfshirjen e tyre në ngjarje. Arrestimi i tyre, ngjason me arrestimin e Valter Bamit, verën e kaluar, në një atentat tjetër kundër Bejtjes, ku mbeti i vrarë kunati i tij, dhe të plagosur dy djemtë. Bami u liruar disa muaj më vonë për mungesë provash. A do i presë i njëjti fat dhe të arrestuarit e Milotit? A ka vepruar policia në ngutin për të gjetur emra dhe fajtorë?

E teksa një grup pune është ngritur për të zbardhur ngjarjen e Fushë Krujës, krimi mesiguri është duke planifikuar atentatin e radhës, që fatmirësisht në Shkodër, në këtë vit, ka pasur vetëm dështime. Pak ditë më parë një efektiv policie dhe kunati i tij i shpëtuan atentatit, duke u plagosur pa rrezik për jetën, ndërsa dhe krimi ndaj tyre listohet në mesin e ngjarjeve të pazbardhura. /ZËRI

Poll

MOS HUMB