DURRËS- Këtë mëngjes ka nisur zhvendosja e 102 kontejnerëve me mbetje toksike të kompanisë “Kurum”, të të rrezikshme të kompanisë “Kurum”, të konfiskuara rreth një vit më parë në Portin e Durrësit. Kontejnerët u zhvendosën në fshatin Vrinë, pranë Shënavlashit.
Zhvendosja synon menaxhimin e sigurt të materialeve dhe vijimin e procedurave ligjore për trajtimin e tyre. Për zhvendosjen e konejnerëve asistoi edhe Policia e Durrësit për garantimin e sigurisë gjatë transportit.
Në lidhje me këtë çështje Prokuroria e Durrësit ka firmosur 33 masa sigurie. Hetimi ka zbuluar shkelje të rënda ligjore në lidhje me menaxhimin, magazinimin dhe tentativën për trajtim të këtyre mbetjeve të rrezikshme drejt Tajlandës, nga kompanitë "Kurum International" dhe "Sokolaj" si dhe nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Dogana e Durrësit dhe kompania koncesionare e terminalit lindor në portin e Durrësit.
Mes personave për të cilët janë firmosur këto masa janë drejtues të “Kurum International” dhe kompanisë shqiptare “Sokolaj”, si dhe zyrtarë të doganës e biznesmenë. Masë sigurie është lëshuar edhe për ish-drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Arta Dollanin e cila është lënë me “arrest shtëpie”, për shpërdorim detyre dhe shkelje të procedurave ligjore lidhur me mbikëqyrjen dhe dhënien e lejeve mjedisore. Hetimi vjen mbi një vit pas sekuestrimit, të 2800 ton mbetje të rrezikshme të kompanisë Kurum që u kthyen nga Tajlanda. Hetimet kanë konfirmuar se mbetjet e sekuestruara në 102 kontejnerë kanë rezultuar të rrezikshme, pas analizave laboratorike të kryera nga autoritetet kompetente./ZËRI



