TEPELENË- Detaje të reja dalin nga ngjarja e rëndë në fshatin Salari të Tepelenës, ku u qëllua për vdekje biznesmeni italian Edoardo Sarchi. Burime për mediat bëjnë me dije se Sarchi kishte shkuar për gjah së bashku me tre persona të tjerë, përfshirë ortakun e tij, Eqrem Braçe, dhe djalin e këtij të fundit, Gazment Braçe. Ata kanë udhëtuar drejt vendit ku ndodhi ngjarja me dy makina, një mjet tip Land Rover dhe një Volksëagen, të cilat u gjetën në vendngjarje nga policia.
Ortaku i viktimës, Eqerem Braçe, i cili ndodhet në spitalin e Gjirkoastrës, ka deklaruar se një person ka dalë para automjetit dhe ka hapur zjarr drejt automjetit të 44-vjeçarit italian. Ai është shprehur ka dalë për t’i dhënë ndihmë, ndaj edhe sipas tij trupi i viktimës ndodhej disa metra larg automjetit dhe më pas ka njoftuar policinë. Megjithatë, mbetet për t’u verifikuar vërtetësia e dëshmisë së tij, ndërkohë që pas verifikimeve të kryera në automjetin e viktimës nuk ka gjurmë plumbash, por vetëm një gomë të shfryrë. Sipas tij, autori dyshohet se është larguar në errësirë dhe s'ka mundur ta identifikojë.
Ndërkohë, Gazment Braçe, djali i ortakut, është shpallur në kërkim, pasi ndodhej në vendngjarje, por u largua para mbërritjes së policisë. Përveç tyre, një person tjetër është shoqëruar nga policia, identiteti i të cilit ende nuk dihet. Ndërkohë mbetet mister autori dhe rrethanat e ngjarjes së rëndë.
44-vjeçari italian, Edoardo Sarchi, u gjet i vrarë mëngjesin e së shtunës në fshatin Salari të Tepelenës. Italiani me origjinë nga Varese, rezulton një biznesmen i fuqishëm në Tiranë. Ai ishte administrator i fabrikës së tullave “Tegola Edilcentro” në zonën e Laprakës në Tiranë, ku banonte prej 20 vitesh. Sarchi shpesh shkonte në Salari të Tepelenës për shkak të pasionit të tij për gjuetinë. Edhe mbrëmjen e së premtes dyshohet se kishte udhëtuar drejt fshatit Salari për gjah. Trupi i tij u gjet rreth orës 00:30, në anë të rrugës, ndërsa pak metra më tej u identifikua edhe automjeti i tij.
Ndërkohë, në terren janë angazhuar forcat e Policisë së Fierit dhe Vlorës, të cilat po kryejnë kontrolle të zgjeruara në zonë dhe në disa mjedise të dyshuara, me qëllim lokalizimin dhe ndalimin e autorit./ZËRI