TIRANË- Fabio Ballabani i alias Fabio Zyberaj është ekstradua këtë të shtunë nga Gjermania. Ai akuzohet për ngjarjen e vitit 2019, pasi dhunoi dhe kanosi me armë zjarri, bashkëshortin e gjyqtares Saida Dollani. Kjo e fundit ishte e ngarkuar për procesin kundër grupit kriminal ku bënte pjesë 38-vjeçari Fabio Ballabani. Në vitin 2024, GjKKO-ja i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Goditjet ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Njoftimi:
Interpol Tirana/ Ekstradohet nga Gjermania, një 38-vjeçar që në vitin 2019, dhunoi dhe kanosi me armë zjarri, bashkëshortin e gjyqtares së ngarkuar për procesin kundër grupit kriminal ku bënte pjesë.
Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet strukturave të Interpol Tiranës, me homologët në Gjermani, u finalizua procedura për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasit shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, F. B. alias F. Z., 38 vjeç.
Në vitin 2024, GjKKO-ja i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Goditjet ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Shtetasi F. B. alias F. Z. akuzohet se në vitin 2019, ka dhunuar dhe ka kanosur me armë zjarri, shtetasin K. P., bashkëshort i gjyqtares që gjykonte procesin me palë të përfshirë grupin kriminal ku bënte pjesë 38-vjeçari.
Ky shtetas iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, me qëllim kryerjen e veprimeve të mëtejshme.
Fabio Ballabani rezulton të jetë anëtar i bandës së Emiljano Shullazit. Ai u shpall në kërkim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ngjarjen e ndodhur në vitin 2019, ku bashkëshorti i gjyqtares Saida Dollanit, Kristaq Prifti, u kërcënua dhe dhunua brutalisht. Me urdhër të Emiljano Shullazit, Fabio Ballabani alias Fabio Zyberaj dhe Ivi Zyberaj, kërcënoi dhe rrahu Priftin.
Grupi i Emiljano Shullazit kishte kërkuar vazhdimisht, 12 herë që gjyqtarja të tërhiqej nga dosja e tyre, por kjo e fundit nuk kishte pranuar duke dashur ti shkojë deri në fund gjykimit. Sipas SPAK, në ngjarjen e rëndë, Emiljano Shullazi ka pasur rolin e porositësit të dhunës, ndërsa zbatues të urdhrit kanë qenë Fabio Zyberaj (Ballabani) dhe një person tjetër i paidentifkuar. Saida Dollani u largua nga procesi gjyqësor i Shullazit, ndërsa për rastin e kërcënimit nisën hetimet, por 10 muaj më pas prokurorja Ida Ahmetlli kërkoi pushimin e hetimeve, ndërsa gjykata e kundërshtoi duke e rikthyer për vijimin e hetimeve në 2020./ZËRI


