Aktualitet

GJKKO lë në arrest Berishën dhe Malltezin, SPAK: Ka shkelur masën e sigurisë, futi në shtëpi politikanin gjerman

SPAK është shprehur se Berisha dhe Malltezi e kanë shkelur masën e sigurisë, për shkak të komunikimeve të vazhdueshme me mediat, dhe përmes rrjeteve sociale

E.K
GJKKO lë në arrest Berishën dhe Malltezin, SPAK: Ka shkelur
Sali Berisha dhe Jamarber Malltezi

TIRANË- Gjykata e Posaçme ka rrëzuar sërish kërkesën e Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit, për një masë më të butë sigurie se ajo e arrestit me burg. Prej afro 6 muajsh, si Berisha ashtu dhe Malltezi mbahen nën masën e arrestit të shtëpisë, dhe të dyja shkallët e Gjykatës së Posaçme, i kanë rrëzuar kërkesat e tyre për liri.

Gjatë seancës së mbajtur sot në GJKKO, SPAK është shprehur se Berisha dhe Malltezi e kanë shkelur masën aktuale të sigurisë, për shkak se kanë pasur komunikime me mediat dhe përmes rrjeteve sociale.

Prokurorët e SPAK kanë paraqitur pretendimin se Berisha ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, duke futur në banesë dhe kontaktuar me ish-eurodeputetin Elmar Brok dhe gazetarët italianë të RAI.

Avokatët e Berishës dhe Malltezit kanë kërkuar sërish sot përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga çështja, pas publikimit të informacioneve në mediat greke se ajo ka fshehur dëbimin nga Greqia.

Sali Berisha ndodhet në masën e sigurisë "Arrest shtëpie" prej Dhjetorit të kaluar, dhënë nga Gjykata e Posaçme, pasi refuzoi të respektonte masën më të lehtë të sigurisë të dhënë më herët nga GJKKO, atë të "Detyrimit të paraqitjes".

Berisha akuzohet për korrupsion pasiv në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit sportiv "Partizani". Po në "Arrest shtëpie", ndodhet dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

Ky i fundit akuzohet për "Korrupsion aktiv", dhe "Pastrim parash". Berisha dhe më herët ka kërkuar përjashtimin nga gjykimi të Irena Gjokës, por dhe leje për të shkuar në Kuvend, të dyja janë hedhur poshtë.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB