
I penduari i drejtësisë duket se kërkon të pendohet edhe para Zotit, ka kërkuar edhe një takim special me një pastor nga Franca, por emri i tij nuk është bërë me dije. Pastori, me origjinë nga Franca, që jeton në vendin tonë, ka pasur kontakte me vrasësin me pagesë edhe para se ai të arrestohej, megjithatë ka dhe një opsion të dytë. Nëse takimi me pastorin e parë nuk realizohet, Dumani ka dhënë edhe një emër tjetër.
Mesa duket, para së të jepet dënimi për të, Nuredin Dumani i është kthyer besimit, pasi edhe në seancat gjyqësore të zhvilluara në GJKKO është shfaqur më një varëse me kryq. Kërkesa më e fundit e tij do t’i depozitohet Prokurorisë, më pas varet nëse ky organ do ta pranojë ose jo kërkesën e të penduarit të drejtësisë.
Dumani dhe miku i tij, Henrik Hoxha, pasi u arrestuan në Fier, kanë folur për drejtësinë duke zbërdhyer ngjarje kriminale që nga viti 2011 deri në 2022-shin. Pas rrëfimit të tij, u lëshuan 32 urdhër arreste, nga të cilat 18 u ekzekutuan nga policia (prej të cilave 9 masa iu komunikuan persona të arrestuar për vepra të tjera penale). Dumani ka folur edhe për ngjarje e vrasje të bëra jashtë territorit të Shqipërisë, në Belgjikë, Holandë dhe në Itali. Krimet më të shumta Nuredin Dumani ka rrëfyer se i ka bërë me Talo Çelën, por edhe me Hoxhajn, i cili u arrestua në të njëjtën natë më të. Por për shumë ngjarje bën fajtor Talo Çelën, me të cilin u zu për një makinë të marrë për kryerjen e një vrasje, e për hakmarrje Dumani pranoi se i kishte vrarë të vëllanë, Bujar Çelën. Megjithatë zanafilla e shumicës prej ngjarjeve kriminale në vend, vjen pas grabitjes në aeroportin e Rinasit, për ndarjen e 4.3 milionë euro./Zëri.ai