TIRANË- Avokatja dhe aktivistja e njohur, Adriana Kalaja, është kërcënuar me jetë me disa mesazhe në rrjete sociale. Rasti është bërë publik nga gazetari Elton Qyno, i cili ka raportuar se kërcënimet kanë ardhur nga një profil i rremë në “Facebook”, me emrin “Klaus Bianconeri”.
Në mesazhet, të dërguara që nga shkurti, të publikuara nga gazetari, përfshihen deklarata për jetën e Kalasë dhe referenca politike, ku i janë përmendur figura politike të larta të vendit.
“…o kukull me fija! Bëj të fala Saliut dhe Sorosit. E di ti kukull me fija qi punon për mua pa vetëdijen tënde? Rama, bosi jot është kukulla ime me fija!Të kanë njoftuar kush jam unë teta? Çoj njerëz me pushime unë!Do të shkosh me pushime ti teta? Do të takosh zotin…?".
Këtë mesazhe janë administruar nga policia e Tiranës dhe mësohet se pas marrjes në pyetje të avokates Ardiana Kalaja, çështja tashmë është përcjellë në prokurorinë e Tiranës, për të vijuar hetimet e mëtejshme, duke kërkuar informacion përmes letërporosisë “Facebook” me qëllim lokalizimin e “IP” të personit kërcënues.
Materiali hetimor i referuar nga policia në prokurorinë e Tiranës mësohet se mban Nr.5137 dhe është administruar qysh prej 24 shkurtit 2026. Aktualisht ende ky material nuk është ndarë tek një prokuror për të nisur praktikën hetimore.