
TIRANË-Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka folur për aksionin e nisur nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku u lëshuan 50 urdhër-arreste. Balla u shpreh se është zbuluar vetëm një pjesë e dosjes dhe të tjera ngjarje do të zbulohen. Ministri nuk ka përmendur emra, ndërsa paralajmëroi se do të ketë arrestime të tjera.
Balla: Ju keni parë vetëm një pjesë. E vërteta është që është operacioni më i madh në Shqipëri. Nuk më lejohet të përmend emra por nga Shkodra deri në Vlorë, po ti referohem dosjes sot jemi në kushtet më të mira në lidhje me personat e krimit. Kjo botë e krimit ka lulëzuar që nga vitet '90 jo sot. Kur të dali e gjithë dosja keni për të parë që nga ndërhyrja e Policisë janë parandaluar shumë raste. Do të ketë arrestime të tjera.
Operacioni i zhvilluar nga SPAK, u finalizua në bashkëpunim me Europol dhe u shtri në disa qytete si Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë, Fushë Krujë dhe Rrëshen. 50 anëtarët e 7 bandave të rrezikshme, mes të cilëve dhe zyrtarë policie akuzohet se janë përfshirë në veprimtari kriminale, si vrasje, tentativa vrasje dhe kultivim e trafik kanabisi./ZËRI